Gjykata Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesëpadinë e Komunës së Prishtinës për caktimin e një mase të përkohshme të sigurisë ndaj zbatimit të Rregullores për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave.
Vendimi ishte marrë nga Kuvendi Komunal më 1 dhjetor 2023, e plotësuar më 5 dhjetor 2024, dhe e publikuar në Gazetën Zyrtare më 31 dhjetor 2024.
Kjo rregullore përcakton që pagesat për shërbimin e menaxhimit të mbeturinave të bëhen drejtpërdrejt në KRM “Pastrimi” Sh.A., ndërsa kërkesa e Komunës kishte synuar pezullimin e përkohshëm të zbatimit të saj.
Në vendimin e saj, Gjykata Supreme ka theksuar se nuk ekziston bazë ligjore për ndalimin e prodhimit të efekteve juridike të kësaj rregulloreje, duke sqaruar se pezullimi i një akti nënligjor nuk mund të bëhet pa një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e tij.
Kjo nënkupton se pretendimi i Komunës për ndërprerjen e efekteve juridike deri në një vendim përfundimtar është hedhur poshtë.
Gjykata gjithashtu ka vendosur që aktgjykimi merr formë të prerë menjëherë pas komunikimit me palët, duke i dhënë fund përkohësisht kontestit rreth zbatimit të kësaj rregulloreje.
Ky vendim nënkupton se Rregullorja mbetet në fuqi dhe duhet të zbatohet deri në një vendim tjetër eventual mbi ligjshmërinë e saj në përmbajtje.