Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët, ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Vjedhjet e grabitjet shpesh kryhen edhe nën kërcënimin e armës, duke ua rrezikuar jetën punëtorëve. Kështu ka ndodhur edhe mbrëmë në marketin “KAM” në rrugën “Imzot Nikëprelaj”, në Prishtinë, raporton Telenews.al
Rasti është denoncuar nga punëtoret, që njoftuan Policinë se dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda marketit dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që t’ua marrin të gjitha parartë e pazarit ditor.
Me t’u raportuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e personave të dyshuar.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje e armatosur’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

