Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar sot lidhur me grevën e minatorëve në “Trepçë”.
Krasniqi në një postim në Facebook ka shkruar se fatkeqësisht, edhe pse kanë kaluar më shumë se 72 orë në grevë, këta qindra minatorë që po qëndrojnë qindra metra në thellësi të tokës, nuk kanë pasur asnjë vizitë nga kryeministri, as nga ministrja e as nga ndonjë tjetër pushtetar.
“Sot, minatorët e Trepçës kanë hyrë në ditën e katërt të grevës. Gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet shpejt dhe ndjeshëm. Kjo formë e protestës nuk ishte zgjedhje e tyre – por ishte zgjidhja e vetmja për shkak të injorimit të plotë që u ka bërë Qeveria kërkesave të tyre për më shumë se dy vjet. Kërkesat e tyre janë të drejta dhe të domosdoshme – andaj duhet të plotësohen urgjentisht”, shkruan kryetari i PDK-së.
Ai më tej thekson se asnjë nga pushtetarët nuk i kanë vizituar.
“Fatkeqësisht, edhe pse kanë kaluar më shumë se 72 orë në grevë, këta qindra minatorë që po qëndrojnë qindra metra në thellësi të tokës, nuk kanë pasur asnjë vizitë nga Kryeministri, as nga Ministrja e as nga ndonjë tjetër pushtetar. Natyrisht që ikin – sepse premtimet e tyre të mëdha dje për Trepçën dhe minatorët, sot po vërtetohet të kenë qenë vetëm mashtrime.
Megjithatë, fshehja nuk është zgjidhje. E ftoj Kryeministrin dhe Qeverinë që t’u dalin zot premtimeve të tyre ndaj minatorëve dhe të plotësojnë kërkesat që ata kanë.
Nuk duhet ta rrezikojnë shëndetin e qindra minatorëve vetëm për ta mbajtur me zor në krye të Trepçës një militant partiak. Qysh sot duhet të ketë veprime që mundësojnë ndërprerjen e grevës. Ne nuk do të heshtim para padrejtësive dhe injorimit që po u bëhet kërkesave të minatorëve tanë – heronjve të nëntokës”, tha ai. /Telenews.al/