Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka dhënë detaje nga raportimi i zyrtarëve të KOSTT-it në Komisionin për Buxhet dhe Financa.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar se në vitet 2021 dhe 2022 janë paguar 113 milionë euro për rrymën në veri. E sivjet deri në shtator, sipas Hotit borxhi është 25 milionë euro.
“Nga raportimi i KOSTT-it sot në Komisionin për Buxhet, 113 mil euro janë paguara për energjinë në veri për vitet 2021 dhe 2022. Këto mjete janë paguar nga buxheti i shtetit dhe nga dividenta e KOSTT-it për Qeverinë. Sivjet, deri në shtator, borxhi është rreth 25 mil”, ka shkruar Hoti.
Tutje, Hoti ka shkruar se qeveritarët e sotëm nuk kanë lënë gjë pa bërë kundër qeverive të kaluara kur ato detyroheshin të bënin pagesat për energjinë në veri./Telenews/