Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, e ka fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje për dështimin e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.
I pyetur nga IndeksOnline për moszgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e opozitës dhe komuniteteve, Hoti ka thënë se kjo është pjesë e një skenari të partisë së Albin Kurtit.
“Skenar i Vetëvendosjes, s’kam koment tjetër. Këto lojëra nuk po kuptohen, janë jashtë çdo sjellje politike”, ka deklaruar Hoti.
Hoti ka vlerësuar se situata e krijuar duhet të adresohet në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, veprimet e tilla politike po e pamundësojnë funksionimin normal të institucioneve të vendit. /Indeksonline/

