Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e hapur të energjisë, i cili pritet të hyjë në fuqi nesër.
Ai tha se ky vendim ka krijuar pasiguri të madhe për furnizimin me energji për biznese dhe e ka cilësuar situatën si të pakuptimtë.
Sipas Hotit, para miratimit të këtij vendimi do të duhej të mbaheshin konsultime dhe të bëheshin përgatitje adekuate, ndërsa procesi duhej të dakordohej me komunitetin e bizneseve.
“Pasojat do të jenë të mëdha: largim i investitorëve ekzistues vendorë e ndërkombëtarë, mosardhje e investitorëve të rinj, mungesë e investimeve vendore, rritje e kostove të bizneseve vendore, humbje e aftësisë konkurruese të produkteve vendore në tregun e brendshëm dhe të jashtëm, shtrenjtim i kostos së jetesës për qytetarë, rritje e papunësisë”, ka theksuar Hoti.
Ai ka paralajmëruar se brenda një kohe të shkurtër do të vërehet përkeqësim i bilancit tregtar, pasi produktet e huaja do të vërshojnë tregun e Kosovës.
“Kjo qasje arbitrare e ZRRE-së, e mbështetur nga Qeveria e mashtrimit, vetëm bizneseve kosovare nuk u shërben. Nuk e di në çfarë agjende janë futur ZRRE-ja dhe Qeveria e mashtrimit, por sigurisht jo në agjendë që është në interes të bizneseve të Kosovës”, ka deklaruar ai.