Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka reagur përsëri në lidhje me buxhetin e miratuar nga Qeveria e Kosovës për vitin 2027.
Hoti, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka thënë se duke qenë se ky buxhet përmban ndarjet buxhetore për tri vitet e ardhshme, normalisht duhet të përfshijë edhe të gjtiha premtimet e mandatarit për kryeministër e të cilat janë prezantuar në Kuvendin e Kosovës më 13 shtator të këtij viti.
Ai, ka publikuar edhe për siç ka thënë listën e premtimeve nga fjala e Kurtit në Kuvend.
Postimi i plotë:
BUXHETI 2027-2029 NUK I PËRMBAN AS PËR SË AFËRMI PREMTIMET E MANDATARIT PËR KRYEMINISTËR, TË PARAQITURA NË KUVENDIN E KOSOVËS MË 13 SHTATOR 2026 KUR U VOTUA QEVERIA E RE
Buxheti për 2027-2029, i miratuar në Qeveri pas afatit ligjor, është buxheti i parë pas formimit të Qeverisë së re. Duke qenë se ky buxhet përmban ndarjet buxhetore për tri vitet e ardhshme, ai normalisht duhet të përfshijë të gjitha premtimet e mandatarit për Kryeministër, të cilat premtime janë prezantuar në Kuvendin e Kosovës më 13 shtator 2026 me rastin e votimit të Qeverisë së re.
Por nga analiza e detajuar e e këtij buxheti rezulton se premtimet e prezantuara në Kuvendin e Kosovës nuk janë reflektuar as për së afërmi në këtë buxhet. Analiza e detajuar do të ofrohet për publikun së shpejti.
Në vijim është lista e premtimeve nga fjala e mandatarit për Kryeministër në Kuvendin e Kosovës, më 13 shtator 2026, me rastin e votimit të Qeverisë së re.
EKONOMIA
1. Banka Zhvillimore do t’i financojë drejtpërdrejt projektet strategjike, do t’i mbështesë ndërmarrjet e vogla e të mesme përmes bankave dhe do t’u japë prodhuesve e eksportuesve letërgaranci për pagesa. Programi prej 1 miliard eurosh për prodhim dhe industri do të garantojë kreditë për investimet në kapacitete të reja, përfshirë industrinë krijuese dhe skemat e subvencionimit të pagave.
2. Investitorit që prodhon dhe punëson do t’i lehtësohet marrja e kredisë dhe do t’i ulet kostoja e saj.
3. Me amortizimin e përshpejtuar, një pjesë më e madhe e investimit do të zbritet në vitet e para, kur biznesi ka më shumë shpenzime dhe më shumë nevojë për mjete qarkulluese.
4. Vendosim faturimin elektronik ndërmjet bizneseve, me mbikëqyrje të detyrimeve në kohë reale.
5. Rimbursim më të shpejtë të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
6. Pagesa e TVSH-së për mallrat që hyjnë në kufi do të kalojë në deklarimin brenda vendit.
7. Për veturat e importuara nga Bashkimi Evropian do të hiqet taksa doganore prej 10 për qind.
8. Ligji për çmimet tavan do t’i mbrojë qytetarët dhe tregtarët e ndershëm nga abuzimi me marzhat.
9. Do ta nisim zhvillimin e Valutës Digjitale të Kosovës, të mbështetur në teknologjinë e zinxhirit të blloqeve, për pagesa dhe shërbime digjitale.
10. Në qendër të Prishtinës do të ndërtohet Kulla TIK.
11. Kompanive të teknologjisë do t’u ofrohen hapësira edhe në qytetet e tjera
12. Shpenzimet për trajnimin e punonjësve do t’u njihen si shpenzime të zbritshme.
13. Fondi i Inovacionit do t’i mbështesë të rinjtë, ndërmarrjet e reja dhe bizneset e vogla në zhvillimin e prodhimeve, shërbimeve dhe mënyrave të reja të punës.
14. Në kuadër të Parqeve të Inovacionit dhe Teknologjisë do të vazhdojmë ndërtimin e qendrave të inovacionit, inkubatorëve teknologjikë, të biznesit dhe industrialë në komuna e universitete, 15 sosh në total deri në fund të mandatit të ardhshëm.
15. Në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren do të zhvillohet edhe Qendra e parë e Kosovës për hulumtim dhe zhvillim në fushën e energjisë, në bashkëpunim me partnerët gjermanë, Akademinë dhe profesionistët e mërgatës.
16. Do ta nisim themelimin e një kompanie ajrore me kapital publik, në partneritet me kompani me përvojë nga vendi dhe bota.
17. Do të investojmë në shkollimin, trajnimin dhe certifikimin e specialistëve të aviacionit civil, që Kosova të krijojë kuadrot e veta dhe një sektor të qëndrueshëm të aviacionit.
18. Do të krijojmë rrjetin e bashkuar të transportit publik në tërë vendin. Do të nisim me trafikun urban në secilën komunë dhe do të vazhdojmë me trafikun ndërurban. Me një biletë mujore të përbashkët dhe të subvencionuar, me synim çmimin prej 10 eurosh, qytetari do të mund të udhëtojë nëpër Kosovë pa blerë biletë tjetër.
19. Mandatin do ta nisim me projektin e madh të Brezovicës. Investimet deri në 500 milionë euro do të përfshijnë rrugët, akomodimin, pistat dhe një rrjet bashkëkohor teleferikësh, përveçse renovim e ndërtim të hoteleve.
20. Në Pejë, Rugovë dhe Bjeshkët e Nemuna do të zhvillojmë Qendrën turistike Dukagjini, duke i respektuar kërkesat e mbrojtjes së natyrës.
21. Me grante do t’i shndërrojmë stanet në bujtina ekologjike në Bjeshkët e Nemuna dhe në Sharr.
22. Investimet në infrastrukturë, bujqësi e mbrojtje të natyrës do të gjallërojnë edhe Gollakun dhe Shalën e Bajgorës.
MËRGATA
23. Përmes Dritares për Investime të Diasporës do të mbështeten deri në 100 milionë euro investime të mërgatës në Kosovë. Shteti do të jetë garantues i kredive të marra për këto investime.
24. Do të zgjerojmë mësimin e gjuhës shqipe në bashkëpunim me Shqipërinë.
25. Do t’i digjitalizojmë shërbimet konsullore.
26. Do të zbatojmë kthimin me automatizëm të shtetësisë për ata që e kanë humbur për shkak të kufizimeve të shtetit ku jetojnë ose rrethanave historike.
FAMILJA
27. Programi Gjenerata për gjeneratë do t’i mbështesë gjyshërit pensionistë që kujdesen për nipërit dhe mbesat e moshës 13 deri në 36 muaj, kur natyrisht të dy prindërit punojnë. Secila gjyshe ose secili gjysh do të marrë 100 euro shtesë në muaj.
GRATË
28. Brenda gjashtë muajve të parë të mandatit do të nisë programi Superpuna për Gratë. Programi do ta mbulojë pagën minimale për gjashtë muaj për gratë e çdo moshe që hyjnë ose rikthehen në tregun e punës.
PUNËTORËT
29. Paga minimale prej 500 eurosh nuk do të tatohet.
30. Me rritjen ekonomike do të vazhdojë rritja e pagave në sektorin publik, ku paga mesatare, sipas pritjes së tanishme, do ta kalojë shumën prej 1 mijë euro në muaj.
31. Në këshillim me bizneset dhe punëtorët do të ndërmarrim nismën për pagën e trembëdhjetë në sektorin publik dhe privat, që do të vazhdojë edhe në vitet në vijim, me synimin që më pas të planifikohet edhe paga e katërmbëdhjetë.
32. Fondi i Sigurimeve Shoqërore do ta mbështesë punëtorin pas humbjes së vendit të punës dhe do ta mbulojë pushimin e lehonisë e pushimin prindëror.
33. Numri i inspektorëve do të rritet deri në 200, ndërsa ligji i ri i punës dhe sistemi digjital i raportimit do ta forcojnë mbrojtjen në punë dhe kushtet e dinjitetshme të punës.
ARSIMI
34. Sa më larg që studion, aq më shumë mbështetesh.
35. Mbështetja me bursa do të zgjerohet edhe për studentët e kolegjeve jopublike.
36. Do ta rrisim përfshirjen e fëmijëve në çerdhe publike.
37. Do të japim bono për prindërit që i dërgojnë në çerdhe jopublike.
38. Licencimi i avancuar i mësimdhënësve do të shtrihet në të gjitha nivelet dhe do të shoqërohet me rritje page.
39. Do t’i rishikojmë tekstet shkollore, do të shtrijmë mësimin plotësues.
40. Do të hapim pesë gjimnaze të specializuara.
41. Profesionistët me doktoratë që punojnë në shkollat e komunave më të largëta do të marrin shtesë të posaçme.
42. Shkolla gjithëditore do të përfshijë artin, sportin dhe mësimin digjital.
43. Fëmijët me nevoja të veçanta do të kenë logopedë, psikologë dhe veprimtari të përshtatura.
44. Arsimit dual do t’i shtohen dhjetë profile të reja, kurse këshillimi për karrierë do të vendoset në shkolla.
45. Interneti i shpejtë dhe falas do të shtrihet në 1 mijë institucione parauniversitare.
46. Universitetet publike do të profilizohen dhe do të financohen sipas cilësisë e punës shkencore.
47. Në Qendrën e Studentëve do të ndërtohen një konvikt dhe tri salla të reja të bibliotekës.
SHËNDETËSIA
48. Çdo qytetar do ta ketë mjekun familjar dhe do të përfshihet në regjistrin e kujdesit parësor.
49. Do të funksionalizohen sigurimet shëndetësore.
50. Lista e rimbursueshme do t’i mbulojë barnat jashtëspitalore, ndërsa buxheti për listën esenciale do të rritet deri në 100 milionë euro.
51. Do t’i shtrijmë shërbimet specialistike në rajone.
52. Do të ndërtojmë spitalet e reja në Mitrovicë e në Ferizaj.
53. Do t’i pajisim spitalet publike me tomografi të kompjuterizuar.
54. Do të mbështesim edhe prodhimin vendor të produkteve medicinale.
PRODHIMI DHE EKONOMIA BUJQËSORE
55. Do ta krijojmë skemën kombëtare të sigurimit të prodhimit nga fatkeqësitë natyrore.
56. Prodhimet do të certifikohen e standardizohen për tregun vendor dhe atë evropian.
57. Do t’i fuqizojmë organizatat e prodhuesve, kooperativat, përpunimin dhe zinxhirin e ftohtë.
58. Aplikimi për grante do të jetë i hapur gjatë gjithë vitit.
59. Do të ketë mbështetje të posaçme për vajzat e djemtë.
60. Aplikim për subvencione nëpërmjet internetit, Kartën e-Fermeri dhe regjistrim të thjeshtuar të punëtorëve sezonalë do ta fillojmë në mandatin e ri.
61. Do të krijohen tri zona të hortikulturës intensive.
62. Do të zgjerohet prodhimi ekologjik.
63. Do të përfundojmë projektimin dhe ndërtimin e ujësjellësit në të gjitha lokalitetet e banuara.
64. Për furnizim me ujë të pijes, ujitje dhe industri do të ndërtohen pesë rezervuarë të rinj apo liqene artificiale: në Firajë të Poshtme të Shtërpcës, në Pollatë të Podujevës, në Kuçicë të Skenderajt, në Dragaçinë të Suharekës dhe në Desivojcë të Kamenicës.
65. Kanalizimet e fshatrave do të trajtohen me impiante të vogla.
66. Do t’i rregullojmë argjinaturat, do ta rigjallërojmë Ligatinën e Hencit dhe rrjedhat e Lepencit e Drinit e do ta mbështesim grumbullimin e ujit të shiut për ujitje e nevoja sanitare.
ENERGJIA DHE MINIERAT
67. Do t’i modernizojmë termocentralet Kosova A dhe Kosova.
68. Do të sigurohen së paku 305 megavatë nga era dhe 250 megavatë nga dielli.
69. Sistemi i baterive me kapacitet 340 MWh orë energji, që e kemi si rezultat i Programit Kompakt, të Korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do ta rrisë qëndrueshmërinë e rrjetit.
70. Do ta planifikojmë gazifikimin e qymyrit, e linjitit, do ta thellojmë bashkëpunimin me Shqipërinë dhe do ta vazhdojmë bashkimin e tregut përmes ALPEX-it – Albanian Power Exchange.
71. Ngrohja qendrore do të zgjerohet në Prishtinë dhe do të nisë në Gjilan, Ferizaj, Prizren, Pejë, Mitrovicë, Fushë-Kosovë, Podujevë e Lipjan.
72. Do të investojmë 150 milionë euro në kursimin e energjisë për 400 ndërtesa publike e së paku 8 mijë familje.
73. Për skanimin e pasurive minerare do të ndahen rreth 50 milionë euro, ndërsa Trepça do të jetë në qendër të partneriteteve energjetike.
74. Do të krijojmë Brezin e Gjelbër Prishtinë, Obiliq dhe Fushë-Kosovë.
75. Do t’i gjelbërojmë autostradat e rrugët kombëtare.
76. Do t’i mbyllim deponitë e paligjshme.
77. Do ta mbyllim përfundimisht deponinë e Mirashit.
78. Aksioni shtetëror për mbrojtjen e natyrës do ta ndalë degradimin e lumenjve, pyjeve dhe zonave të mbrojtura, e Blinaja do të shndërrohet në park të hapur, edukativ e rekreativ të jetës së egër.
INFRASTRUKTURA
79. Do ta fillojmë ndërtimin e hekurudhës Gjakovë-Shkodër, në kuadër të hekurudhës Prishtinë-Durrës.
80. Do t’i projektojmë linjat hekurudhore që e lidhin Prizrenin e Ferizajn me Gjilanin e Bujanocin, si dhe Prishtinën me Aeroportin.
81. Do të përfundojmë autostradën e Gjilanit deri te Dheu i Bardhë.
82. Do të përfundojmë rrugën Prizren-Tetovë me tunelin.
83. Do të përfundojmë rrugën e Dukagjinit.
84. Do të përfundojmë rrugët Dollc-Gjakovë dhe Kijevë-Zahaq.
85. Do t’i shtojmë lidhjet ndërkufitare.
86. Do të përmirësojmë qasjen në qendrat turistike e historike.
87. Do ta nisim edhe ndriçimin e mençur të autostradave.
SPORTET
88. Lojërat Mesdhetare: Pallati i Rinisë dhe Sporteve, Qendra e Studentëve, Qendra Akuatike, pishinat, palestrat dhe terrenet për sportet olimpike do të përtërihen sipas standardeve ndërkombëtare.
89. Për Stadiumin Kombëtar, përtëritjen e stadiumeve ekzistuese dhe ndërtimin e 20 stadiumeve të futbollit janë planifikuar 250 milionë euro.
90. Klubet e vajzave dhe klubet e drejtuara prej tyre do të kenë mbështetje të posaçme.
91. Do të zbatojmë programin Sporti në Shkolla.
ARTI
92. Për industritë krijuese janë planifikuar 200 milionë euro investime në film, libër, art skenik e pamor, arkitekturë, dizajn, modë, artizanat, videolojëra dhe shërbime të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
93. Teatri i Operës dhe Baletit dhe Muzeu i Artit Bashkëkohor do të jenë qendra të krijimtarisë.
94. Do të vazhdojnë kërkimet arkeologjike, mbështetja e zejeve tradicionale, zgjerimi i rrjetit të muzeve dhe puna në Kullat e Rezistencës në Prekaz.
95. Do të themelohet Muzeu i Gjenocidit dhe do të përfundojë Memoriali i Fëmijëve të vrarë gjatë luftës.
DREJTËSIA
96. Jetësimin e vetingut në përputhje me Kushtetutën.
97. Byroja për Sekuestrimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
98. Gjykata për Çështje Familjare do t’i trajtojë me përparësi pronën, trashëgiminë, dhunën në familje, shkurorëzimin dhe detyrimin ushqimor.
99. Padia dhe gjykimi do të digjitalizohen në të gjitha shkallët gjithandej Republikës.
100. Do të themelohet Prokuroria e specializuar për krimin e organizuar dhe korrupsionin.
101. Do të organizohet Zyra për Hetime Disiplinore.
102. Policia do të pajiset me pajisje bashkëkohore.
103. Shkollimi dhe specializimi i zyrtarëve do të zgjerohen.
104. Stacionet policore do të përtërihen.
105. Do të themelohet fondi për pensionimin e parakohshëm të shkallëzuar, duke nisur nga mosha 63-vjeçare dhe duke zbritur vit pas viti deri në moshën 55 vjeç.
106. Do ta themelojmë Xhandarmërinë e Republikës së Kosovës për mbrojtjen e kufirit, luftimin e terrorizmit, përballimin e rreziqeve të larta dhe mbrojtjen e infrastrukturës jetike kritike.
MBROJTJA
107. Për ushtrinë mbi 1 miliard euro gjatë katër vjetëve në vijim.
108. Industria ushtarake Made in Kosova do të përqendrohet në municion, dronë, robotë dhe teknologji të tjera mbrojtëse.
109. Prodhimi i municionit është paraparë të nisë brenda vitit 2026, ndërsa zhvillimi i robotëve të parë është përfunduar.
110. Me Republikën e Shqipërinë do ta krijojmë Njësinë Ushtarake të Përbashkët dhe do të bashkëpunojmë në edukim e bashkëprodhim.
111. Do ta shtojmë rekrutimin, me synim që brenda mandatit ushtria të ketë 1 mijë gra e vajza ushtarake, nga rreth 400 sa janë aktualisht.
112. Programi i Mbrojtjes Gjithëpërfshirëse do t’i trajnojë rezervistët vullnetarë.
POLITIKA E JASHTME
113. Do të punojmë për njohjen e pasaportës së Kosovës në më shumë vende dhe për marrëveshje të reja të lëvizjes pa viza.
114. Marrja e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian mbetet synim yni kryesor dhe orientim parësor strategjik.
115. Deri në vitin 2030 synojmë t’i përmbyllim kapitujt e integrimit dhe të përparojmë në bisedimet për anëtarësim.
116. Do ta dyfishojmë rrjetin e atasheve të mbrojtjes dhe do të shtojmë numrin e marrëveshjeve që njihet me akronimin SOFA
117. Do t’i thellojmë marrëdhëniet edhe me shtetet mosnjohëse, veçanërisht me anëtaret e NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.
118. Do të synojmë drejtimin e së paku një nisme rajonale.
119. Do ta hapim shërbimin diplomatik për kuadrot e reja e profesionistët e mërgatës sonë të dashur.
120. Kosova do të marrë pjesë në Tregun e Përbashkët Rajonal, do t’i zbatojë detyrimet e Procesit të Berlinit dhe do të mbetet e harmonizuar me politikën e jashtme e të sigurisë së Bashkimit Evropian

