Telenews

I vazhdohet paraburgimi Haxhi Shalës

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që Haxhi Shalës t’i vazhdohet masa e paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë.

Vendimi është marrë më 4 tetor 2024 nga kryegjyqtarja Mappie Veldt-Foglia e cila caktoi afatet kohore për palët lidhur me rishikimin e ardhshëm të paraburgimit për Haxhi Shalën.

“Për arsyet e lartpërmendura, Paneli urdhëron si vijon:  a. URDHËRON vazhdimin e paraburgimit të z. Shala; b. URDHËRON ZPS-në që të dorëzojë parashtresat për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit të të akuzuarit jo më vonë se të hënën, më 11 nëntor 2024, në orën 16:00; c. URDHËRON Mbrojtjen që të dorëzojë parashtresat për rishikimin e ardhshëm të paraburgimit të z. Shala, nëse dëshiron, jo më vonë se të hënën, më 18 nëntor 2024, në orën 16:00; d. URDHËRON ZPS-në që të dorëzojë një përgjigje, nëse dëshiron, jo më vonë se të enjten, më 21 nëntor 2024, në orën 16:00; dhe  e. URDHËRON Mbrojtjen që të dorëzojë versione të redaktuara publike të parashtresave F00471 dhe F00478, ose të tregojë nëse këto parashtresa mund të ri-klasifikohen si publike, deri të mërkurën, më 16 tetor 2024”, thuhet në vendim.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se për Haxhi Shalës ekziston dyshimi i bazuar se i akuzuari ka rrezik që të arratiset, të  pengojë administrimin e drejtësisë ose të kryej krime të tjera.

Mbrojtja kishte propozuar disa kushte alternative siç ishte lirimi me kusht i Haxhi Shalës që ai të qëndroj në arrest shtëpiak dhe të paraqitej periodikisht në Policinë e Kosovës duke dorëzuar të gjitha dokumentet e tij të udhëtimit ose të paguaj edhe dorëzani.

“Në këtë drejtim, Paneli vëren gatishmërinë e të akuzuarit për të qëndruar, ndër të tjera, në arrest shtëpie në banesën e tij, për të respektuar një ndalim të kontrolluar elektronikisht (edhe pse i kufizuar përkohësisht), për të raportuar periodikisht në Policinë e Kosovës, për të dorëzuar dokumentet e tij të udhëtimit dhe/ose për të paguar një garanci financiare”, thuhet në vendim.

Megjithatë, Paneli ka konstatuar se asnjë nga kushtet e propozuara nga mbrojtja nuk mund ta zbusin në mënyrë të mjaftueshme rrezikun që Shala mund të kryej krime të tjera duke përfshirë edhe pengimin e procedurave gjyqësore.

Ndryshe, më 8 shkurt, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou ka miratuar kërkesën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) për bashkimin e aktakuzave të konfirmuara në çështjen gjyqësore ndaj Ismet Bahtijarit dhe Sabit Januzit me atë të Haxhi Shalës.

Në vendimin për bashkimin e aktakuzave, thuhet se gjyqtari i procedurës paraprake ka konstatuar se dy aktakuzat e konfirmuara në rastin 10 dhe 11 i ngarkojnë tre të akuzuarit për vepra të njëjta penale duke specifikuar që kanë vepruar si grup. Po ashtu, në vendim thuhet se vërehet që aktakuzat e konfirmuara në këto dy raste lindin nga të njëjtat pretendime faktike.

Në bazë të kësaj, gjyqtari ka vendosur që ZPS-së t’i jep leje për të ndryshuar aktakuzën e konfirmuar në rastin 10 duke iu referuar amendamentit të parë, ndërsa amendamenti i dytë u refuzua.

Të ngajshme

Zgjimi pranë më të dashurve – fillimi më i bukur i ditës

Erzana Fazliu

Trump për përmbytjet në Teksas: Një tragjedi e paimagjinueshme

Valjeta Turkaj

Tmerr në Antalia, luani del nga kafazi dhe sulmon një familje në park

Valjeta Turkaj