Telenews

IKD: Pas tejkalimit të afatit, çdo hap tjetër kërkon verdikt kushtetues

Instituti Demokratik i Kosovës e ka konsideruar absurde dhe të papranueshme situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit. Afati detyrues 30-ditor ka përfunduar pa u konstituuar Kuvendi. Brenda këtij afati, LVV-ja nuk e ushtroi të drejtën dhe përgjegjësinë ekskluzive për të propozuar kandidatin për Kryetar. Edhe pas skadimit të afatit, ajo refuzoi sërish ta paraqiste kandidaturën dhe kërkoi kohë shtesë, duke e vazhduar me vetëdije bllokadën institucionale.

Kjo situatë tashmë e ka tejkaluar rrafshin e mosmarrëveshjes politike ndërmjet partive parlamentare. Skadimi i afatit pa konstituimin e Kuvendit ka krijuar një çështje të drejtpërdrejtë kushtetuese për vlefshmërinë e procedurës së mëtejshme. Një kandidaturë e paraqitur me vonesë, një ndërprerje e re 48-orëshe apo një marrëveshje eventuale politike nuk mund t’i fshijnë vetvetiu pasojat e mosveprimit brenda afatit.

Asnjë subjekt politik nuk mund t’i përcaktojë njëanshëm këto pasoja apo të përpiqet t’i zgjidhë ato përmes krijimit të një fakti të kryer. Kjo kompetencë i takon Gjykatës Kushtetuese, si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës.

Prandaj, KDI vlerëson se së paku dhjetë deputetë duhet t’i referojnë menjëherë Gjykatës Kushtetuese vendimet dhe veprimet e ndërmarra pas skadimit të afatit, duke kërkuar përgjigje për disa çështje themelore:

– nëse mosushtrimi brenda afatit i së drejtës së propozimit e ka shteruar mandatin e kësaj përbërjeje për përfundimin e procesit konstitues;

– çfarë vlefshmërie juridike kanë veprimet e ndërmarra pas skadimit të afatit;

– dhe cila procedurë kushtetuese duhet të ndiqet më tej, përfshirë hapjen e rrugës për zgjedhje të reja.

Kosova ka nevojë për institucione që derivojnë nga një zgjidhje kushtetuese, jo për zgjidhje politike të improvizuara, në mënyrë që secili hap pasues të ketë bazë kushtetuese dhe të mos etablojë precedentë të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve të Republikës.

Të ngajshme

Eksploziv në derën e dyqanit të Noizy-t në Durrës

Yllka Gashi

Polonia bëhet ekonomia e gjashtë më e madhe e BE-së, synon të kalojë Zvicrën

Yllka Gashi

Ambasada Britanike kërkon zgjidhje të situatës politike në Kosovë

Yllka Gashi