Telenews

IKShPK u bën thirrje prindërve të mos bien pre e dezinformatave për vaksinën MMR: Ja çfarë duhet të dini

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka reaguar ndaj informacioneve të pasakta që po qarkullojnë në rrjetet sociale lidhur me përbërjen dhe sigurinë e vaksinës MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubella.

IKShPK ka bërë të ditur se pretendimet se kjo vaksinë përmban merkur dhe plumb, si dhe se shkakton encefalit dhe dëmtime neurologjike, janë keqinformuese dhe nuk mbështeten nga evidenca shkencore.

Informim i drejtë për përbërjen dhe sigurinë e vaksinës MMR

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), duke përcjellë me shqetësim qarkullimin e informacioneve të pasakta në rrjetet sociale lidhur me përbërjen dhe sigurinë e vaksinës MMR (kundër fruthit, parotitit dhe rubellës), ndien përgjegjësinë që të informojë drejt qytetarët dhe prindërit, duke u bazuar në evidencën shkencore dhe të dhënat nga institucionet kompetente të shëndetit publik.

Së fundmi, në disa publikime pretendohet se vaksina MMR përmban merkur dhe plumb, si dhe se shkakton encefalit dhe dëmtime neurologjike. Këto pretendime janë keqinformuese dhe nuk përputhen me evidencën shkencore mbi përbërjen dhe sigurinë e kësaj vaksine.

Çfarë përmban vaksina MMR?

Vaksina MMR përmban viruse të gjalla të dobësuara të fruthit, parotitit dhe rubellës, të cilat nxisin sistemin imunitar të krijojë mbrojtje ndaj këtyre sëmundjeve.

•Merkuri (thiomersali/timerosali) nuk është përbërës i vaksinës MMR.

•Plumbi nuk është përbërës i vaksinës MMR.

•Përbërësit e tjerë ndihmës dhe stabilizuesit janë të përcaktuar në dokumentacionin zyrtar të produktit dhe ndryshojnë varësisht nga prodhuesi.

A shkakton vaksina MMR encefalit?

Pretendimi se vaksina MMR shkakton encefalit nuk mbështetet nga evidenca shkencore si një efekt i zakonshëm apo i pritshëm i vaksinimit.

Përkundrazi, fruthi është një sëmundje serioze infektive që mund të shkaktojë ndërlikime të rënda, përfshirë encefalitin, pneumoninë dhe dëmtime të përhershme neurologjike. Edhe parotiti mund të shkaktojë komplikime neurologjike.

Vaksina MMR ka një profil të mirë të sigurisë. Reaksionet më të shpeshta janë të lehta dhe kalimtare, si temperatura, skuqja ose dhimbja në vendin e injektimit. Reaksionet serioze janë shumë të rralla dhe monitorohen përmes sistemeve të mbikëqyrjes së sigurisë së vaksinave.

Pse është i rëndësishëm vaksinimi MMR?

Vaksinimi me dy doza të vaksinës MMR siguron mbrojtje të lartë kundër tri sëmundjeve: fruthit, parotitit dhe rubellës. Përmes vaksinimit mbrohet jo vetëm fëmija që vaksinohet, por edhe personat e tjerë në komunitet, veçanërisht foshnjat që ende nuk kanë arritur moshën për vaksinim dhe personat që për arsye shëndetësore nuk mund të vaksinohen.

Në kushtet e qarkullimit të fruthit dhe rasteve të raportuara, vaksinimi në kohë dhe plotësimi i të dy dozave sipas kalendarit të rregullt të imunizimit janë veçanërisht të rëndësishme.

Mesazhi ynë për prindërit

Të dashur prindër,

Mos lejoni që informacionet e pavërtetuara dhe pretendimet e shpërndara në rrjetet sociale të ndikojnë në vendimet tuaja për shëndetin e fëmijëve. Për çdo paqartësi ose shqetësim lidhur me vaksinimin, konsultohuni me pediatrin, mjekun familjar ose profesionistët kompetentë të imunizimit.

Informohuni nga burimet zyrtare dhe institucionet shëndetësore kompetente.

IKShPK rithekson se vaksinimi është një nga masat më efektive të shëndetit publik për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve.

Të ngajshme

Festat e fundvitit na gjejnë me rikthimin e “Stupcave” në ekran

Rrezarta Ramaj

Istogu fiton bindshëm, Prishtina e Re merr tri pikë – këto janë rezultatet e javës së 18-të

Rrezarta Ramaj

Vedat Muriqi i jashtëzakonshëm, renditet i dyti në një statistikë të UEFA Champions League!

Rrezarta Ramaj
Lajmet po ngarkohen…