Oborri i shkollës fillore “Selman Riza” në Fushë Kosovë, pasditen e së hënës, përveç prindërve që po prisnin fëmijët e tyre, u mbush edhe me policë pas një incidenti që dyshohet se ndodhi aty. Dy prindër dhe një nxënëse u përfshinë në rast dhe tashmë janë zbuluar detajet se si nisi ngjarja, për të cilën është iniciuar hetim në Polici.
Gazeta ka mësuar se njëri nga prindërit është zyrtar i Policisë së Kosovës dhe detajet se si i njëjti u përfshi në këtë incident.
Sipas informacioneve të para, fillimisht një 14-vjeçare, për motive akoma të panjohura, po dyshohet se ka rrahur një nxënëse 8-vjeçare të kësaj shkolle, duke e goditur me shuplaka.
Sulmi ndaj fëmijës nisi në sy të zyrtarit policor, çka e bëri atë të intervenojë dhe ta ndalojë nxënësen e dyshuar.
Por asgjë nuk mbaroi këtu, pasi polici u përball me nënën e të dyshuarës, e cila u hodh në sulm bashkë me të bijën dhe i kanë shkaktuar lëndime trupore zyrtarit policor.
Posa rasti është denoncuar, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë përkatëse të Policisë dhe e dyshuara është arrestuar, teksa edhe palët tjera janë dërguar në stacion, ku kanë dhënë versionet e tyre për atë që ka ndodhur.
Polici që ishte viktimë e këtij rasti ka marrë trajtim mjekësor në spital, ndërsa gruaja e dyshuar është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndaj të dyshuarës dhe vajzës së saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve, teksa janë ndërmarrë edhe procedurat e tjera të nevojshme.