Telenews

Infantino sqaron bisedën me Trump për rastin e Balogun: FIFA mban qëndrim për pavarësi

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka sqaruar publikisht bisedën e zhvilluar me presidentin amerikan Donald Trump lidhur me rastin e sulmuesit të SHBA-së, Folarin Balogun, pas debatit të krijuar rreth kartonit të kuq dhe pezullimit të tij në Kupën e Botës.

Rasti i Balogun është bërë temë e gjerë diskutimi pasi ai u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Bosnjë-Hercegovinës në fazën e 1/16 së finales, ndërsa më pas FIFA vendosi t’i heqë pezullimin me një ndeshje, duke i mundësuar aktivizimin në ndeshjet pasuese.

Ky vendim shkaktoi reagime në opinionin sportiv dhe kërkesa për sqarime, përfshirë edhe nga Federata e Belgjikës, e cila shprehu shqetësime për ndikimin e mundshëm në garë.

Në këtë kontekst, Donald Trump deklaroi se kishte diskutuar çështjen me presidentin e FIFA-s. Infantino, nga ana e tij, konfirmoi kontaktin, por theksoi se proceset vendimmarrëse në FIFA janë plotësisht të pavarura.

“Organet gjyqësore të FIFA-s janë të pavarura dhe kjo është thelbësore për integritetin e futbollit. Po, kam biseduar me Presidentin e SHBA-së dhe i kam shpjeguar se vendimet merren nga struktura të pavarura dhe në përputhje me procedurat zyrtare,” u shpreh Infantino.

Ai shtoi se shpesh vendimet e komisioneve disiplinore mund të jenë të debatueshme, por ato duhet të respektohen.

“Ndonjëherë pajtohem, ndonjëherë jo, por gjithmonë i respektoj vendimet e tyre,” deklaroi kreu i FIFA-s, duke theksuar se pavarësia e organeve disiplinore mbetet parim i pandryshueshëm i institucionit.

Të ngajshme

Mbappé reagon ashpër ndaj senatores pas akuzave raciste: Sjellje e neveritshme dhe e papranueshme

KushtrimGuraj

Prezantohet topi që do të përdoret në finalen e Botërorit 2026

Rrezarta Ramaj

Me kë është i martuar Harry Kane? Zbulohet gjithçka rreth futbollistit

Yllka Gashi