Forcat izraelite paralajmëruan palestinezët që të largohen nga pjesët e Gazës jugore, thanë banorët e zonës të enjten, një sinjalizim se Izraeli mund të zgjerojë ofensivën në zonat ku tashmë kanë shkuar qindra mijëra njerëz nga veriu i territorit që ndoqën urdhrat e mëparshëm për evakuim.
Mbi 1.5 milion njerëz janë zhvendosur brenda Gazës, shumica e të cilëve ka shkuar në jug, ku ushqimi, uji dhe energjia elektrike janë gjithnjë e më të pakta.
Nuk është e qartë se ku tjetër mund të shkojnë, pasi Egjipti refuzon të lejojë një fluks masiv në territorin e tij.
Ndërkohë, ushtarët vazhduan kontrollin në spitalin al-Shifa në veri, në kuadrin e bastisjes që filloi herët të mërkurën. Ata treguan armë që thanë se u gjetën të fshehura në një ndërtesë, por ende nuk kanë nxjerrë ndonjë provë për nj qendër komanduese që Izraeli thotë se Hamasi ka ngritur poshtë kompleksit.
Hamasi dhe personeli i spitalit më të madh të Gazës, i mohojnë akuzat. Zgjerimi i operacioneve në jug – ku Izraeli kryen sulme ajrore të përditshme – kërcënon të përkeqësojë edhe më tej krizën humanitare në territorin e rrethuar.
Lufta që ka hyrë në javën e gjashtë, filloi kur Hamasi, të cilin Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë një organizatë terroriste, ndërmori një sulm të përgjakshëm ndaj Izraelit më 7 tetor, ku humbën jetën mbi 1200 vetë, kryesisht civilë, dhe morën peng rreth 240 burra, gra dhe fëmijë.
Izraeli u kundërpërgjigj me një fushatë javore ajrore dhe ndërhyrje tokësore në Gazën veriore, me synimin për të rrëzuar Hamasin nga pushteti dhe për të shtypur aftësitë e tij ushtarake. Më shumë se 11,200 palestinezë janë vrarë, prej të cilëve dy të tretat gra dhe të mitur, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, nën varësinë e Hamasit.
2700 të tjerë njoftohet se rezultojnë të zhdukur, shumica prej të cilëve besohet të kenë mbetur nën rrënoja. Këto shifra nuk bëjnë dallim mes vdekjeve të civilëve dhe militantëve dhe Izraeli thotë se ka vrarë mijëra militantë. /Telenews./