Çdo marrëveshje e përkohshme për paqe ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duhet të pasohet nga bisedime më të thella mbi rezervat bërthamore të Teheranit, raketat dhe çështje të tjera kritike, theksoi të hënën shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas.
Duke folur në një konferencë për shtyp në Islamabad, Kallas tha se sheh një “mundësi të brishtë diplomatike” për ta zgjatur armëpushimin e tanishëm dhe për ta rihapur Ngushtica e Hormuzit, pavarësisht shkëmbimit të sulmeve gjatë natës nga Irani dhe Shtetet e Bashkuara.
“Çdo mirëkuptim i përkohshëm midis SHBA-së dhe Iranit duhet të pasohet nga bisedime më të thella mbi rezervat bërthamore të Teheranit dhe çështje të tjera kritike”, tha diplomatja më e lartë e bllokut evropian në konferencën e përbashkët për shtyp me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar.
Kallas vlerësoi rolin e Pakistanit si ndërmjetës në krizën e Gjirit dhe shprehu gatishmërinë e BE-së për të kontribuar në zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjes SHBA-Iran, duke përmendur “ndikimin ekonomik” të bllokut, “ekspertizën e fituar me vështirësi në fushën bërthamore”, “marrëdhëniet afatgjata me partnerët në të gjithë Gjirin” dhe “angazhimin e drejtpërdrejtë me vetë Iranin”.
“Shoh një rol konkret për BE-në në ndihmën për ta bërë çdo marrëveshje të ardhshme të qëndrueshme – qoftë përmes operacioneve detare apo përmes stimujve ekonomikë që mbështesin stabilitetin afatgjatë”, tha ajo, duke sugjeruar “kushte të rrepta” për një “rrugë të kalibruar drejt lehtësimit të sanksioneve” ndaj Iranit.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore kundër Iranit më 28 shkurt, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme lidhur me kapacitetet bërthamore të Iranit.
Pakistani ka ndërmjetësuar mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për të arritur një armëpushim të përhershëm, pasi një armëpushim i brishtë u arrit më 8 prill.
Një draft-marrëveshje, e ndërmjetësuar nga Pakistani, ka kaluar vazhdimisht nga njëra palë te tjetra, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, deklaroi më 31 maj se fokusi mbetet te kapaciteti bërthamor i Iranit.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se marrëveshja e tij “përcakton shumë qartë se Irani nuk do të ketë armë bërthamore”.
Gjatë luftës, Teherani dhe Uashingtoni ndërmorën masa që praktikisht çuan në mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, rrugës së ngushtë detare që ka rëndësi jetike dhe strategjike, sepse përmes saj kalon pothuajse 20 për qind e furnizimit botëror me naftë nga Gjiri drejt tregjeve ndërkombëtare.
Kjo ndërprerje shkaktoi një rritje të madhe të çmimeve globale të naftës dhe ngriti shqetësime për inflacionin, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe paqëndrueshmërinë më të gjerë ekonomike në mbarë botën.
Partneriteti Pakistan–BE
Kallas tha se vizita e saj e parë në Islamabad “thekson vrullin e vazhdueshëm të shkëmbimeve politike të nivelit të lartë midis Pakistanit dhe BE-së dhe pasqyron një angazhim të përbashkët për forcimin e mëtejshëm të partneritetit Pakistan–BE”.
Duke iu referuar përplasjeve të fundit kufitare të Pakistanit me regjimin taliban në Afganistanin fqinj, ajo tha se luftimet kanë pasur “pasoja të rënda humanitare” dhe rrezikojnë të nxisin më tej “paqëndrueshmërinë dhe radikalizimin”.
Ajo shtoi se “Pakistani ka të drejtë të mbrojë veten dhe qytetarët e tij në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Por dialogu, jo sulmet ajrore, është mënyra më e mirë për të dalë nga kjo situatë”.
Pas dekadash aleance, përplasje të përgjakshme kufitare shpërthyen midis Pakistanit dhe talibanëve në tetor të vitit të kaluar, duke shkaktuar dhjetëra viktima ushtarake dhe civile, si dhe zhvendosjen e popullsisë civile në të dy anët e kufirit.
Pakistani akuzon talibanët se strehojnë në tokën afgane anëtarët e talibanëve pakistanezë, të cilët kanë kryer sulme brenda Pakistanit. Talibanët afganë, nga ana e tyre, deklarojnë se nuk do të lejojnë askënd të përdorë tokën afgane kundër ndonjë vendi tjetër.
Vitin e kaluar, Pakistani kreu sulme ajrore brenda Afganistanit duke goditur disa qytete, përfshirë kryeqytetin, Kabul. Talibanët afganë u kundërpërgjigjën me granatime mortajash dhe artilerie ndaj posteve kufitare pakistaneze përgjatë vijës 2.600 kilometra të njohur si Linja Durand.

