Telenews

KANCELARI AUSTRIAK NË KOSOVË: E RËNDËSISHME TA PËRSHPEJTOJMË ANËTARËSIMIN E KOSOVËS NË BE

Kancelari i Austrisë, Karl Nehammer, ka thënë se me kryeministrin Albin Kurti ka diskutuar se si mund të përshpejtohet procesi i anëtarësimit të vendit tonë në BE.
Ai tha se për ta bërë një gjë të tillë duhet që të involvohet edhe Gjermania, vend të cilin e ka cilësuar po ashtu si mik të Kosovës.
“Është e rëndësishme që Austria të jetë edhe më tej urë lidhëse për BE-në. Kemi zhvilluar biseda të mira se si mund ta përshpejtojmë procesin, prandaj do të jetë e rëndësishme që edhe Republikën Federale të Gjermanisë ta përfshijmë, sepse edhe ata janë miq të Kosovës, që ta përshpejtojmë anëtarësimin në BE dhe besoj që së bashku do t’ia dalim”.
“Për Austrinë Ballkani Perëndimor është një pikë gjeostrategjike dhe gjeopolitike e rëndësishme, sepse ne kemi lidhje historike me njëri-tjetrin. Është shumë e rëndësishme që edhe të ardhmen tonë ta krijojmë së bashku dhe për këtë Kosova nevojitet që të jetë në familjen e BE-së”.
Nehammer tha se Kosova dhe Austria kanë lidhje dhe bashkëpunim shumë të mirë qysh moti, derisa shton se edhe problemet që janë pasojë e luftës në Ukrainë duhet t’i zgjidhin së bashku si vende mike.
“Austria qëndron pranë Kosovës që nga fillimi. Ne kemi edhe një diasporë të madhe të Kosovës që jeton në Austri të cilët në ndërkohë janë bërë austriakë dhe austriake, por përkundër kësaj në zemër janë ende kosovarë. Lidhja shprehet edhe në një bashkëpunim të mirë. Unë për herë të dytë vij në Kosovë ku herën e parë isha si ministër i Punëve të Brendshme dhe mund të them që kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm midis Kosovës dhe Austrisë për luftimin e terrorizimit, por edhe krimit të organizuar dhe trafikimit të qenieve njerëzore”.
“Ne jetojmë në kohë me sfida, fillimisht luftimi i pandemisë dhe pasojave të saj ishte një prej detyrave politike të kësaj kohe derisa tani për momentin kemi luftën në Evropë. Federata Ruse e ka sulmuar Ukrainën dhe tani shtrohet çështja se çfarë pasoja do të ketë për neve dhe ku mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Inflacionin, rritjen e çmimit të energjisë dhe produkteve ushqimore dhe të gjitha të tjerat duhet t’i zgjidhim së bashku, sepse jemi miq dhe në një kohë të vështirë nuk duhet lënë njëri-tjetrin vetëm”.
 

Të ngajshme

Ministri i Mbrojtjes tregon se sa serbë shërbejnë në Ushtrinë e Kosovës

Donat Hashani

Kurti flet për takimin me kancelarin gjerman: Diskutime përmbajtësore e konstruktive

Donat Hashani

Maqedonci: Mund të shkarkohem, por dorëzohem vetëm i vdekur

Donat Hashani