Keira Knightley: Kam pasur çrregullim të stresit post-traumatik pasi luajta në “Piratët e Karaibeve”
Aktorja britanike Keira Knightley ka rrëfyer se fama e jashtëzakonshme që arriti me rolin e saj në sagën “Piratët e Karaibeve” i solli një traumë me të cilën u përball për vite me radhë. Megjithëse roli i Elizabeth Swann e bëri një yll ndërkombëtar në vetëm 17 vjeç, Knightley ka pranuar se i ishte shumë e vështirë të përballonte intensitetin e vëmendjes publike pas shfaqjes së filmit të parë në vitin 2003.
Në një intervistë për Variety, aktorja e përshkroi përvojën si “traumatike”.
“E konsideroja mjaft të tmerrshme. Nuk jam ekstroverte, dhe atë nivel kontrolli dhe fame e kisha shumë të vështirë për t’u përballuar,” tha ajo. “Ishte një periudhë kur sapo po formoheshe si person, nuk kishe përfunduar identitetin, dhe duhej të gabonit. Është një periudhë e pasigurt, veçanërisht për gratë. Në një farë mënyre, je ende fëmijë. Ishte traumatike, por gjithashtu vendosi themelet për pjesën tjetër të karrierës sime”.
Foto: Press/EPA
Përballja me presionin e madh ishte aq sfiduese, sa që në moshën 22-vjeçare Knightley përjetoi një kolaps mendor dhe i u diagnostikua çrregullimi post-traumatik i stresit (PTSD). Për këtë arsye, ajo kërkoi ndihmë profesionale, duke përfshirë hipnoterapinë, dhe mori një vit pushim nga aktrimi.
“Kam përjetuar një kolaps mendor në moshën 22-vjeçare, prandaj mora një vit pushim dhe më u diagnostikua PTSD për shkak të gjithë kësaj. Duhet të merrja terapi dhe gjithçka tjetër që shkon me të”, rrëfeu ajo për Hollywood Reporter në vitin 2018.
Sot, në moshën 40-vjeçare, Keira Knightley menaxhon me sukses famën e saj. Në intervistën për Variety, ajo theksoi se ndihet e lumtur pasi gëzon një karrierë të suksesshme dhe një nivel fame shumë më pak intensiv. “Tani mund ta përballoj, dhe kjo është fantastike. Por atëherë, nuk ishte aq e lehtë, dhe më duhej shumë terapi për ta kuptuar,” shpjegoi aktorja.
Foto: Press/EPA
Ndërkaq, pavarësisht suksesit global të sagës, Knightley nuk ka parë të gjitha pjesët e filmave. Në një intervistë të fundit në BBC Radio 2, ajo pranoi se nuk e kishte parë kurrë pjesën e tretë, At the World’s End. “Është qesharake, sepse marrëdhënia ime me disa pjesë është ndryshe nga ajo që njerëzit mendojnë,” tha ajo, duke shtuar se ishte e mrekullueshme që filmat u bënë të preferuar për publikun.
Kur u pyet pse nuk e ka parë kurrë pjesën e tretë, Knightley përgjigjet me buzëqeshje: “Thjesht mendoj se ka shumë fytyra. Shumë fytyra, vërtet. Të gjitha janë shumë afër, fytyrë gjigante – dhe sinqerisht, askush nuk ka nevojë ta shohë.” Ajo shtoi se disa nga filmat e saj të tjerë të njohur, si komedia romantike Love Actually, i ka parë vetëm një herë – atëherë kur u bë premiera, mbi 20 vjet më parë.

