“Kosova është gati për ëndrrën e madhe”, flet Kreshnik Hajrizi, lojtari që la në hije yjet e Suedisë
Besimi, disiplina dhe uniteti – janë këto fjalët që përshkruajnë më së miri atmosferën aktuale në Kombëtaren e Kosovës, e cila pas katër ndeshjeve në kualifikimet për Botërorin 2026, vazhdon të mbajë gjallë shpresat për një sukses historik.
Një nga figurat kyçe në këto paraqitje mbresëlënëse është mbrojtësi Kreshnik Hajrizi, i cili në një intervistë për Telegrafin flet për ecurinë e deritanishme të Kosovës, çelësin e fitores ndaj Suedisë dhe ëndrrën për të parë “Dardanët” në skenën më të madhe të futbollit botëror.
Pas katër ndeshjeve, Kosova numëron shtatë pikë në Grupin B dhe renditet e dyta me shpresa reale që të kualifikohet në fazën e “play-off-it”. Hajrizi thotë se ky është një fillim mjaft i mirë, i cili u arrit falë karakterit që shfaqi ekipi.
“Mendoj se kemi bërë një fillim solid, jemi në rrugë të mirë. Kemi treguar karakter, sidomos në ndeshjet e fundit, dhe kjo duhet të na japë besim për vazhdimin e kualifikimeve”, ka deklaruar fillimisht Hajrizi.