Komisioni për Shëndetësi ka miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, raporton Ekonomia Online.
Projektligji është miratuar me gjashtë vota për, tri abstenime dhe asnjë votë kundër.
Anëtari i komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sylejman Meholli tha se kjo ndarje buxhetore lidhet me pagën e 13-të.
“Çështja për të cilën po flasim është një plotësim-ndryshim me një gjenezë siç e keni edhe ju, ligji numër 10-N-2001, që megjithatë e prek edhe sektorin e shëndetësisë, siç është gjithë sektori tjetër sepse po flasim për 102 milionë euro shtesë që kanë ndikuar në kodin 28900 për pagën e 13-të në sektorin publik, e që do të angazhojnë profesionistë shëndetësorë, siç janë angazhuar vitin e kaluar, edhe po ashtu do të paguhet shtesa sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhur me shtesën në pagë në lidhje me përvojën e punës, 0.5% në vit, dhe do të paguhet në mënyrë retroaktive edhe për pjesën që nuk është paguar,” tha ai.
Kurse, anëtarja e komisionit nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra tha se raportimi i ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia është i domosdoshëm për të adresuar kërkesat drejtuar atij.
“E di, e di, po du me u lidhë në çështjen që e ngriti Albana, është pika e katërt, unë do ta shoh që duhet ta kemi në raportim ministrin. Është e paraparë në një vizitë, në fakt ftesë e komisionit të raportojë në muajin nëntor, kështu që kjo kishte me qenë një pikë që kërkesat me i adresu, shprehur edhe për çështjet, çështja e ligjit për sigurime shëndetësore edhe çështjet e tjera që do t’i diskutojmë pikën e parë. Nuk po e shoh që është e paraparë në nëntor”, tha Deliu-Kodra.
Kurse, Naim Bardiqi nga LVV-ja tha se Ministria e Shëndetësisë është pjesë e këtij plotësim-ndryshimi të ligjit.
“Lidhur me ligjin për sigurimin e detyrueshëm për kujdesin shëndetësor, por edhe furnizimin me produkte shëndetësore, shërbimet farmaceutike, kujdesin parësor shëndetësor edhe të tjera, edhe Ministria e Shëndetësisë, vetë janë pjesë e ligjit tonë buxhetor, dhe janë po ashtu edhe investimet gjithashtu edhe lidhja e taksave për shëndetësi është paraparë në projeksionet, respektivisht të aprovuar për nisjen apo për shpenzimet për vitet në vijim”, tha ai.

