Komuna e Prishtinës i ka ndarë 90 mijë euro në një tender për përfaqësim ligjor, raporton Paparaci.
Komuna e udhëhequr nga Përparim Rama e ka angazhuar biznesin “SEJDIU & QERKINI” SH.P.K që ka qenë në garë dhe e ka fituar këtë tender me çmimin më të ulët.
Për këtë tender në garë ishte edhe “Rexhepi & Zeqiri” L.L.C, por kishte bërë ofertë 29,75 euro më të shtrenjtë se ajo paraprakja. Rrjedhimisht, doli e dyta në listën për fitimin e këtij tenderi.
Ndërkohë, në web-faqen elektronike “E-Prokurimi”, bëhet e ditur se kjo kompani e cila drejtohet nga ish-deputeti Korab Sejdiu, për një përfaqësim ligjore ndaj këtij institucioni do t’i fitojë 658,75 euro.
Kontrata e negociuar me emrin “Shërbime te veçanta kontraktuese për përfaqësim ligjor për nevojat e Komunës së Prishtinës” është firmosur të enjten më 14 korrik.


Ndërmarrja “SEJDIU & QERKINI” me bazë në Prishtinë menaxhohet nga pronari, respektivisht ish-deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu.
I njëjti kishte qenë edhe kandidat për kryetar të Prishtinës nga radhët e Aleancës Kosova e Re. Megjithatë, ai më 2017 kishte njoftuar për largimin e tij nga partia e Behgjet Pacollit.

