Telenews

Konfirmohet/ Kryetarët e komunave paralajmërojnë protestë para Qeverisë Kurti në shtator

Kryetarët e komunave të Kosovës kanë paralajmëruar protestë para Qeverisë Kurti në shtator, në shenjë kundërshtimi ndaj, siç pretendojnë ata, bllokimit të mjeteve financiare dhe pengimit të projekteve komunale nga pushteti qendror.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, përmes një postimi ka thënë se të gjithë kryetarët e komunave janë bërë bashkë për të kundërshtuar “shkeljen e vazhdueshme të ligjit” dhe qasjen që ai e cilëson si “totalitare” të Qeverisë ndaj pushtetit lokal.

“Jemi mbledhur bashkë, kryetarët e komunave të Kosovës, kundër shkeljes së vazhdueshme të ligjit dhe qasjes totalitare të Qeverisë Kurti ndaj pushtetit lokal”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, paralajmërimi gjatë fushatës zgjedhore lokale se komunave që nuk qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do t’u jepet buxhet, tashmë është duke u materializuar përmes, siç pretendon ai, bllokimit të mjeteve, pengimit të projekteve dhe ndëshkimit financiar të komunave.

Rama ka pretenduar se komunave u janë marrë mbi 344 milionë euro që nga viti 2022 për obligime që, sipas tij, nuk i kanë krijuar vetë.

“Po bllokohen mjete dhe po pengohen investime që u takojnë qytetarëve. Po tentohet që pushteti lokal të nënshtrohet përmes presionit financiar dhe politik”, ka deklaruar ai.

I pari i kryeqytetit, ka theksuar se komunat nuk duhet të trajtohen në bazë të përkatësisë politike të udhëheqjes së tyre.

“Komunat nuk janë të kryetarëve! Komunat janë të qytetarëve!”, ka shkruar Rama.

Ai ka thënë se nëse Qeveria bllokon një komunë për shkak se ajo nuk udhëhiqet nga Vetëvendosje, pasojat, sipas tij, nuk i bart vetëm kryetari, por qytetarët e asaj komune.

“Kur Qeveria bllokon një komunë vetëm sepse nuk e qeveris Vetëvendosje, nuk po lufton një kryetar. Po ia mohon qytetarit një rrugë, një çerdhe, një shkollë apo një shërbim vetëm për shkak të mënyrës se si ai ka votuar”, ka shkruar Rama.

Të ngajshme

YouTube tani do të numërojë një shikim sapo të fillojë të luhet një video

Yllka Gashi

Vuçiq planifikon t’i ankohet NATO-s, përpiqet ta ndalë hapjen e urës së Ibrit

Yllka Gashi

Kapet autori i vrasjes së francezit në Ksamil, ishte fshehur në bagazhin e një makine

Yllka Gashi