Glauk Konjufca, kryetari i Kuvendit të Kosovës, ka pritur të hënën në takim një delegacion nga Austria të kryesuar nga Karl Wilfing.
Wilfing është shoqëruar nga nënkryetari i parë, Karl Moser dhe deputetët Rene Pfister e Dieter Dorner.
E kryetari i Kuvendit të Kosovës ka shprehur mirënjohje për mbështetjen të cilën Austria ia ka dhënë Kosovës.
Ai ka theksuar nevojën e vazhdimit të mbështetjes për liberalizimin e vizave, proceset e integrimit në BE dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
“Gjatë takimit u vlerësuan raportet e mira dhe partneriteti i fuqishëm midis Austrisë dhe Republikës së Kosovës. Po ashtu u shpreh gatishmëria për avancimin e bashkëpunimit, shkëmbimin e praktikave parlamentare dhe fuqizimin e mëtejmë të miqësisë mes dy shteteve tona”, thuhet në komunikatën për media.
Po ashtu në komunikatë thuhet se në takim morën pjesë edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger dhe zëvendësi i tij, Martin Schalle.

