Telenews

Koopman për statusin e kandidatit të Kosovës: Ende s’jemi në atë pikë, ligji për Specialen është i padobishëm –

Gert Jan Koopman, drejtor i Përgjithshëm për Negociatat me Vendet e Fqinjësisë dhe Zgjerimin në Komisionin Evropian, ka deklaruar se beson që duhet të nisë shqyrtimi i aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.

Megjithatë, ai ka theksuar se procesi po përballet me pengesa, duke përmendur mosnjohjen e Kosovës nga pesë shtete anëtare të BE-së, zhvillimet në veri të vendit dhe çështjen e Dhomave të Specializuara.

‘’Personalisht, besoj se është shumë e rëndësishme që të fillojmë shqyrtimin e aplikimit të saj. Mendoj se, siç e dini, pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën janë hezituese. Por nuk bëhet fjalë vetëm për këto pesë shtete. Ka pasur gjithashtu probleme në veri të vendit dhe tani është rikthyer çështja e Dhomave të Specializuara’’, ka deklaruar ai.

Koopman e ka cilësuar si ‘’jashtëzakonisht të padobishme’’ miratimin e ligjit për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se Kosova duhet të dëshmojë përkushtimin e saj ndaj integrimit evropian.

‘’E kuptoj se sot është miratuar një ligj. Kjo është jashtëzakonisht e padobishme. Unë do ta shihja çështjen në mënyrë të kundërt: për shkak se kemi një situatë delikate institucionale, me pesë shtete që nuk e njohin Kosovën, vendi në të gjitha këto çështje të tjera duhet vërtet të tregojë dhe të dëshmojë plotësisht përkushtimin e tij ndaj rrugës evropiane’’, ka shtuar ai.

Zyrtari i Komisionit Evropian ka thënë se ligji për Dhomat e Specializuara nuk duhet të miratohet dhe se situata në veri duhet të menaxhohet siç duhet.

‘’Kjo do të thotë të mos miratohet ligji për Dhomat e Specializuara dhe të sigurohet që situata në veri të vendit të menaxhohet siç duhet. Mendoj se, nëse kjo bëhet, është plotësisht e realizueshme që Këshilli i Bashkimit Evropian ta ftojë Komisionin Evropian të fillojë punën për aplikimin dhe të japë një opinion, që është hapi i ardhshëm. Më pas, i takon Këshillit të vendosë nëse Kosovës do t’i jepet apo jo statusi i vendit kandidat’’, ka vijuar më tej ai.

Në fund, Koopman ka vlerësuar se marrja e statusit të vendit kandidat nuk do të duhej të ishte shumë e vështirë nëse Kosova i përmbush kërkesat e përmendura, por ka theksuar se vendi ende nuk ka arritur në atë pikë.

‘’Kosova është partnere në procesin e zgjerimit dhe financimi i saj vjen nga një instrument që quhet Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA). Prandaj, nuk mendoj se duhet të jetë shumë e vështirë që vendet t’i japin Kosovës statusin e vendit kandidat, me kusht që ajo t’i përmbushë të gjitha këto kërkesa. Por ende nuk jemi në atë pikë’’, ka thënë Koopman në një intervistë për Atlantic Council Europe Center.

Të ngajshme

Kaplohet nga zjarri bodrumi i një ndërtese në Ulpianë, flasin zjarrfikësit: Dyshohet se shfrytëzohej nga të pastrehët –

KushtrimGuraj

Tejkalimi në vijë të plotë i kushton shoferit në Podujevë 200 euro gjobë dhe tre muaj ndalim vozitjeje –

KushtrimGuraj

Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme

Rrezarta Ramaj