Telenews

KOSOVA DHE SHQIPËRIA DAKORDOHEN PËR THELLIM TË BASHKËPUNIMIT NË FUSHËN E BUJQËSISË

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës, Faton Peci ka pritur sot në takim zyrtar ministren e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Frida Krifca.
Pas takimit të të dy ministrave, është vlerësuar se Kosova dhe Shqipëria përmes marrëveshjeve të nënshkruara dhe projekteve të përbashkëta bujqësore, po e avancojnë e fuqizojnë bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë, duke ndikuar kështu në zhvillimin ekonomik të të dyja vendeve si dhe duke lehtësuar edhe më tej qarkullimin e prodhimtarisë bujqësore në mes të dy shteteve.
Ministri Peci, pasi falënderoi ministren Krifca për vizitën, tregoi se ky takim është vazhdimësi e bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve pas Marrëveshjes së nënshkruar në mes të dy qeverive në nëntor të vitit të kaluar.
“Tashmë të dy ministritë kemi ndërmarrë hapa konkret dhe objektivat tona të përbashkëta në sektorin e bujqësisë në mes të dyja vendeve jemi duke i konkretizuar sipas dokumenteve qeveritare, të cilat i kemi nënshkruar gjatë vitit të kaluar. Po ashtu, gjatë këtij takimi me homologen Krifca bashkëbiseduam edhe për ide konkrete për projekte të përbashkëta bujqësore si dhe ndërmarrjen e masave konkrete për të vazhduar lehtësimin e rritjes së shkëmbimit tregtar për prodhimet bujqësore dhe eliminimin e barrierave të panevojshme, që kanë ekzistuar në të kaluarën”, tha ministri Peci.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Frida Krifca shprehu gatishmërinë e shtetit të saj për thellimin e bashkëpunimit ndër-institucional, me qëllim të avancimit të politikave të duhura zhvillimore për sektorin e bujqësisë të të dyja vendeve.
Gjithashtu, ministrat diskutuan mbi bashkëpunimin e deritanishëm dypalësh dhe vlerësuan se Kosova dhe Shqipëria janë partner strategjik në çdo fushë dhe bashkëpunimi në fushën e bujqësisë duhet të thellohet në vazhdimësi.
Më 26 nëntor të vitit të kaluar në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri në Elbasan, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës dhe ajo e Shqipërisë konkretizuan bashkëpunimin në sektorin e bujqësisë me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit midis tyre.
Palët u morën vesh që me nënshkrimin e këtij Memorandumi, të intensifikohet bashkëpunimi në fushën e bujqësisë në mes të dyja shteteve, duke e parë këtë sektor si një nga potencialet kryesore për zhvillimin e dy vendeve me theks të veçantë në fushën e agroturizimit, blegtorisë dhe vreshtarisë.

Të ngajshme

Këshilli i Qarkut të Vlorës me falenderim të veçantë për Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Prishtinë

Donat Hashani

Kryetari i Ferizajt për rastin tragjik: Me forcën e ligjit do t’i japim dënim meritor dorasit

Hafize Elshani

Prokuroria deklarohet për vrasjen në Ferizaj, lëshohet urdhri për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë

Hafize Elshani