Një takim i rëndësishëm ndërinstitucional është zhvilluar në Prishtinë ndërmjet Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Odës së Avokatëve të Kosovës, ku në qendër të diskutimit kanë qenë sfidat konkrete në funksionimin e sistemit të drejtësisë dhe nevoja për përmirësim të praktikave në terren.
Sipas njoftimit të KPK-së, Kryesuesi Arian Gashi, së bashku me anëtarin Visar Krasniqi dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit Sami Istrefi, kanë zhvilluar takim pune me Kryetarin e OAK-së Besnik R. Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij, ku kanë marrë pjesë edhe Nënkryetari Naim Rudari dhe Drejtoresha Ekzekutive Arife Gashi.
Gjatë takimit është diskutuar për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë dhe rritjen e efikasitetit në trajtimin e çështjeve që ndërlidhen me punën e prokurorive dhe avokatëve.
Në këtë kuadër janë trajtuar edhe çështje konkrete që lidhen me praktikën e përditshme, si qasja në shkresat e lëndëve, pajisja me procesverbale të plota, komunikimi përmes emailit dhe funksionalizimi i sistemeve digjitale, si dhe trajtimi i shpenzimeve dhe angazhimeve ex officio.
Po ashtu, është theksuar rëndësia e koordinimit më të ngushtë në çështjet procedurale dhe nevoja për eliminimin e pengesave që ndikojnë në zhvillimin e procedurave.
Bashkëbiseduesit kanë vënë në pah rëndësinë e respektimit të ndërsjellë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore, si dhe rolin e secilit institucion në funksionimin e sistemit të drejtësisë.
Palët janë dakorduar për thellimin e bashkëpunimit dhe komunikimit të drejtpërdrejtë, me qëllim rritjen e efikasitetit dhe besimit të publikut në drejtësi.
Kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, është zotuar se shqetësimet e ngritura do të adresohen gjatë vizitave në prokuroritë e vendit, ndërsa edhe Kryetari i OAK-së, Besnik R. Berisha, ka rikonfirmuar angazhimin për bashkëpunim konstruktiv ndërinstitucional.

