Telenews

KQZ akrediton 761 vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit, refuzon dy organizata

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për akreditimin e grupit të parë prej 761 vëzhguesve për monitorimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

Sipas vendimit të KQZ-së, vëzhguesit e akredituar vijnë nga organizata joqeveritare vendore dhe ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare, përfaqësi diplomatike dhe institucione vendore.

Në mesin e organizatave vendore të akredituara janë INTERNEWS KOSOVA me 23 vëzhgues, BIRN Kosovo me 45 vëzhgues, Demokracia për Zhvillim (D4D) me 6 vëzhgues, Kosova Democratic Institute me 305 vëzhgues dhe Syri i Vizionit me 153 vëzhgues.

Nga organizatat ndërkombëtare është akredituar National Democratic Institute me 14 vëzhgues, transmeton Klankosova.tv.

Po ashtu, KQZ ka akredituar edhe dhjetëra vëzhgues nga media vendore dhe ndërkombëtare, përfshirë TV Dukagjini, KOHA, Telegrafi, Radio Evropa e Lirë dhe The Associated Press.

Në kuadër të përfaqësive diplomatike janë akredituar vëzhgues nga Ambasada e Japonisë në Kosovë dhe Ambasada e Italisë në Prishtinë, ndërsa Institucioni i Avokatit të Popullit do të ketë 67 vëzhgues.

Ndërkohë, KQZ ka refuzuar akreditimin për OJQ-në “Advocacy Center for Democratic Culture” dhe organizatën ndërkombëtare “Odbor za kontrolu i opservaciju”.

Sipas KQZ-së, OJQ-ja “Advocacy Center for Democratic Culture” nuk ka dëshmuar se zhvillon aktivitete që lidhen me proceset zgjedhore apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi.

Ndërsa për organizatën “Odbor za kontrolu i opservaciju”, KQZ ka vlerësuar se përdorimi i termit “Kosovë dhe Metohi” në dokumentacionin zyrtar bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik të Republikës së Kosovës.

Periudha për aplikim për akreditimin e vëzhguesve ka nisur më 5 maj dhe do të përfundojë më 30 maj 2026. Deri atëherë, subjektet politike, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare, mediat dhe përfaqësuesit diplomatikë mund të dorëzojnë online kërkesat për akreditim./

Të ngajshme

Speci i kuq i bluar, prodhim nga Kosova u ndalua në kufirin me Finlandën, AUV ndërmerr masa në vendin tonë

Blearta

Kapet zyrtari që mori mbi 39 mijë euro rrogë nga shteti për 7 vjet pa shkuar në punë

Valjeta Turkaj

Zbulohet pesticidi “Carbofuran” në specin e kuq të bluar me origjinë nga Kosova

Valjeta Turkaj