Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që më 31 dhjetor të bëhet numërimi i votave veç deri në ora 12:00, për të vazhduar më pas më 1 janar në ora 16:00.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Duke pasur parasysh faktin se jemi në periudhë festash, por edhe domosdoshmërinë që procesi i numërimit të mos ketë ndërprerje të gjatë, më 31 dhjetor do të punohet deri në orën 12:00, ndërkaq, puna në Qendrat Komunale të Numërimit do të vazhdojë më 1 janar, në orën 16:00”, tha Elezi.
Sipas tij, në Qendrat Komunale të Numërimit janë planifikuar të kryhen aktivitete të rëndësishme, siç janë: verifikimi i rezultateve të subjekteve politike pas numërimit të fletëvotimeve në vendvotime dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë.
“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, numërimi i votave të subjekteve politike bëhet në vendvotime dhe rezultatet evidentohen në formularë të rezultateve, të cilat pastaj publikohen nga KQZ si rezultate preliminare. Po sipas të njëjtit ligj, në Qendrat Komunale të Numërimit, do të bëhet numërimi i votave të kandidatëve për deputetë të Kuvendit të Kosovës. Para numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për QKN, në këto qendra bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimev”, tha ai.

