Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar raportet financiare të partive politike lidhur me shpenzimet e fushatës për zgjedhjet lokale të mbajtura në tetor të vitit 2025.
Sipas raportit të publikuar, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka deklaruar shpenzime totale prej 203 mijë euro për fushatën zgjedhore, ndërkohë që të hyrat e raportuara nga kjo parti kapin vlerën prej vetëm 23 mijë e 540 euro.
Pjesa më e madhe e shpenzimeve të LDK-së është orientuar në reklama dhe organizimin e konferencave, duke përbërë zërin kryesor të kostove të fushatës.

Sa i përket të hyrave, LDK ka raportuar rreth 16 mijë euro donacione në formë të mallrave dhe shërbimeve.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre donacioneve ka ardhur nga vetë zyrtarë të LDK-së apo kandidatë për deputetë.

Po ashtu, partia ka pranuar edhe donacione në të holla në vlerë prej rreth 8 mijë euro nga gjithsej gjashtë donatorë.

KQZ ka bërë të ditur se raportet financiare të partive politike janë publikuar në kuadër të transparencës dhe mbikëqyrjes së financimit të fushatave zgjedhore, ndërsa të njëjtat do t’i nënshtrohen procedurave të rregullta të verifikimit dhe auditimit.
Për më shumë shikoni raportin e plotë.

