Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka bërë homazhe te varrezat e Familjes Jashari në Prekaz, me rastin e 25 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Ai pas homazheve është shprehur se 5,6 dhe 7 marsi janë ditët kur ka lindur liria e Kosovës.
“Datat 5,6 dhe 7 mars shënojnë ditët kur ka lindur liria e Kosovës dhe qytetarëve tanë, andaj si çdo shqiptar tjetër e konsiderojmë obligim për të ardhur këtu në Prekazin e lavdisë së familjes Jashari për të treguar respektin tonë të përjetshëm, vlerësimin e pafund për sakrificën e tyre titanike e cila i dha drejtim luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që mundësoi edhe masovizimin e radhëve të UÇK-së, por edhe rrugën e çlirimit për ta gëzuar lirinë që e kemi sot”, u shpreh ai.
Krasniqi gjithashtu tha se në ditë të shënuara si kjo, viteve të fundit, siç u shpreh ai, ndjehet mungesa e themeluesve të UÇK-së.
“Padyshim që në ditë të shënuara si kjo, ne në këto vitet e fundit e ndjejmë shumë mungesën edhe të themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të Hashim Thaçit e të Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre që janë të privuar nga liria dhe po mbahen larg nesh. Andaj në ditë të tilla besojmë që çdo shqiptar para se gjithash duhet ta kujtojë e ta vlerësojë në mënyrën më të veçantë këtë sakrificë të familjes Jashari, por po ashtu edhe jetën që e ka dhënë secili dëshmor i luftës çlirimtare të UÇK-së”, u shpreh tutje Krasniqi.

