Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se hapja e negociatave nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut për anëtarësim në Bashkimin Europian, është lajm jashtëzakonisht pozitiv.
Krasniqi theksoi se tani është momenti që BE-ja të marrë vendim pa asnjë vonesë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Kjo pasi sipas tij Kosova ka vite që i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.
“Ka vite që ne të gjithë besojmë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut është dashur ta nisin procesin e negocimit dhe është një sihariq i mirë, është një shpresë edhe për Kosovën që përfundimisht përkundër vonesës krejtësisht të paarsyeshme dhe të padrejtë në raport me ne të miratohet vendimi për lejimin e udhëtimit pa viza, pra liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës”, tha ai.
Kreu i PDK-së duke folur për krizën ekonomike dhe rritjen enorme të çmimeve të produkteve bazë, akuzoi Qeverinë për neglizhencë. Madje, ai tha se Qeveria e cila drejtohet nga kryeministr Albin Kurti është “totalisht jokompetente dhe totalisht e paaftë për të ndërmarrë çfarëdo mase”.
“Ne kemi dhënë një sërë propozimesh që nga viti i kaluar për sa i përket energjisë fillimisht, duke e ndjerë dhe duke e parë që po vinte një krizë e jashtëzakonshme dhe gjithçka kishte mbetur në heshtje nga ana e Qeverisë. Pastaj, fatkeqësisht u realizuan të gjitha ato parashikime që nuk ishin aspak pozitive, përkundrazi ishin shumë negative. Ne përfunduam me propozimin e Qeverisë për të na rritur energjinë në mbi 200 për qind tek pjesa e tarifave të shtrenjta. Në shkurt, por në mënyrë konkrete në mars, ne kemi propozuar masat adekuate për ti implementuar Qeveria në mënyrë që të lehtësohej barra financiare sa i përket rritjes së çmimeve. Asnjë nga këto veprime nuk është ndërmarrë dhe sot shohim që e vetmja mundësi që i ka mbetur Qeverisë është penalizmi i bizneseve të Kosovës”, tha Krasniqi.
Ai komentoi edhe skemën “Qeveria për familjen”.
Krasniqi vlerëson që idetë e Qeverisë për të ngarkuar bizneset dhe sipërmarrësit duke e përcaktuar marzhën e fitimit për çdo produkt esencial si për derivatet e naftës, janë të gabuara

