Fitimet e kompanisë Porsche pas tatimeve kanë pësuar një rënie të ndjeshme prej 95.9 për qind krahasuar me një vit më parë, duke zbritur në vetëm 114 milionë euro.
Nga korriku deri në shtator, prodhuesi gjerman me seli në Stuttgart raportoi madje humbje prej 966 milionë eurosh, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kishte realizuar fitim prej 974 milionë eurosh.
Sipas revistës Spiegel, shkaku kryesor i kësaj rënieje lidhet me ndryshimin strategjik të menaxhmentit nën drejtimin e shefit aktual të kompanisë, Oliver Blume, i cili ka hequr dorë nga objektivat ambiciozë për elektrifikim, përfshirë edhe planin për prodhimin e baterive.
Lansimi i modeleve të reja elektrike është shtyrë. Duke marrë parasysh realitetin e tregut dhe nevojat e klientëve, Porsche tani po fokusohet në rikthimin e motorëve me djegie të brendshme, të cilët pritet të vazhdojnë të përdoren edhe gjatë dekadës së ardhshme.
Një “operacion emergjent” i tillë, megjithatë, pritet të ketë kosto të lartë. Sipas kompanisë, shpenzimet mund të arrijnë deri në 3.1 miliardë euro gjatë vitit fiskal 2025.
Fitimi operativ në nëntë muajt e parë të vitit ishte vetëm 40 milionë euro, që paraqet një rënie prej 99 për qind krahasuar me më shumë se 4 miliardë euro vitin e kaluar. Edhe shitjet kanë shënuar rënie prej 6 për qind, duke u ulur në 26.9 miliardë euro.
“Ne po pranojmë me vetëdije rezultate financiarisht shumë më të dobëta përkohësisht, në mënyrë që të forcojmë qëndrueshmërinë dhe fitueshmërinë e Porsches në plan afatgjatë”, ka deklaruar Jochen Breckner, drejtor financiar i kompanisë.
Ai shtoi se përmirësime priten nga viti 2026.
Për një kohë të gjatë, Porsche është konsideruar si gjenerator fitimi për tërë Grupin Volkswagen, por me dështimin e pritjeve për veturat elektrike dhe tarifat e reja amerikane, kjo periudhë duket se ka marrë fund.
Prodhuesi i njohur i veturave sportive po hyn në vitin e dytë me radhë të rënies së shitjeve. Nga janari deri në shtator, kompania ka shitur rreth 215,500 automjete, një ulje prej 6 për qind krahasuar me vitin e kaluar.
Situata është veçanërisht e rëndë në Kinë, ku deri më tani gjatë këtij viti Porsche ka shitur rreth 32,200 automjete, një rënie prej 26 për qind. Në vitin 2022, ky numër kishte qenë mbi 68,000 automjete.

