Telenews

KRYEMINISTRI KURTI KUJTON BETEJËN E KOSHARES

Ai u shpreh se në këtë betejë, luftëtarët nga të gjitha trevat shqiptare, të ndihmuar nga ushtria e Shqipërisë e forcat e NATO-s, luftuan kundër trupave të armatës jugosllave.
Kurti njëkohësisht ka kujtuar edhe 9 prillin e 1999-ës, në ora 3 e 15 minuta të mëngjesit, ushtarët e UÇK-së sulmuan forcat serbe fillimisht ë karaullën “7 korriku”, për t’u pasuar me sulme në drejtim të Rrases së Koshares e Majës Gllava.
“Vetëm 12 orë më pas, të tre këto pika ishin në duart e ushtarëve të UÇK-së. Ata po zbatonin një vendim të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, që ishte përkthyer në plan operacional veprimi nga Brigada 138 e komanduar nga Agim Ramadani”.
“Ky operacion i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shënoi thyerjen e kufirit Jugosllavi – Shqipëri, atij kufiri që i mbajti shqiptarët të ndarë që nga viti 1913, kur ai u vendos dhunshëm nga Serbia. Për luftën e shqiptarëve kundër Serbisë, Beteja e Koshares dhe veçanërisht thyerja e kufirit, ishin një kalim liminal, sepse i hapi rrugë depërtimit më të lehtë të vullnetarëve të UÇK-së nga Shqipëria drejt Kosovës dhe krijoi hapësirë të lirë për kanale furnizimi me armë”, shkroi Kurti.
Tutje, Kurti tha se në këtë betejë që zgjati më shumë se dy muaj, ranë dëshmorë 114 ushtarë të UÇK-së, ndërsa ata u shkaktuan ushtrisë së Serbisë 108 ushtarë të vrarë, mes të cilëve sipas tij, edhe mercenarë rusë.
“Në historinë e luftërave të ushtrive serbe me shqiptarët, Kosharja është Luma e Dytë (1912), sepse aty, tytat e armëve të ushtarëve të UÇK-së u kthyen në zjarre ferri për ushtarët serbë. Një betejë e tillë integrale dëshmoi se pjesëmarrja e shqiptarëve në çlirimin e tyre kishte mbërritur fazën më të lartë të organizimit”.
“Historia e çlirimit, pavarësimit dhe shtetndërtimit të Kosovës, shënjohet veçanërisht nga betejat e UÇK-së, nga përpjekjet për të ndjekur idealet e dëshmorëve dhe kultivimi i mëtutjeshëm politik i tyre. Në historinë moderne të Kosovës, Beteja e Koshares paraqet një nga ato kalimet pas të cilave e shkuara thjesht nuk mund të kthehet më pas dhe kur e ardhmja e hapur para bëhet destinacion njëdrejtimësh”, shkroi Kurti, përcjell Klankosova.tv.
Për të parin e qeverisë, e sotmja është e ardhmja e Betejës së Koshares dhe e gjithë luftës së UÇK-së, teksa shtoi se Kosova është në afrim e bashkërendim progresiv me Shqipërinë e perspektivë drejt BE-së dhe me aleanca me vendet e NATO-s.
“Andaj Beteja e Koshares nuk rri si çast i përfunduar në histori. Ajo merr pjesë në kohët tona aktuale, në të gjithë realizimet shtetërorë që burojnë nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

Të ngajshme

Treg kokaine në pyll, dënohen dy shqiptarë në Francë

KushtrimGuraj

Foto e rrallë e heroit Jusuf Gërvalla me vajzën Donikën, sot Ministre

KushtrimGuraj

Rusi, reperi i njohur bën vetëvrasje për të mos shkuar në luftë

KushtrimGuraj