Paga minimale në Kosovë është 350 euro në muaj. Por realiteti i tregut e bën të pamundur që kjo shumë të sigurojë një jetë të dinjitetshme. Vetëm qiraja e një garsoniere të vogël në Prishtinë kushton nga 300 deri në 350 euro, ndërsa një banesë me dy dhoma arrin lehtësisht mbi 400 euro. Me fjalë të tjera, paga minimale nuk mjafton as për të mbuluar qiranë mujore, duke e lënë të pamundur mbijetesën pa të ardhura shtesë.
Në këtë llogari nuk përfshihen ushqimi, faturat e energjisë, uji, interneti apo shpenzimet e transportit. Vetëm shporta elementare mujore për një person tejkalon 200 euro. Për familjet me fëmijë, shpenzimet rriten shumëfish. Kjo situatë po i detyron të rinjtë të largohen nga vendi dhe po e vendos një barrë të papërballueshme mbi punëtorët e sektorit privat, që shpesh punojnë në kushte të vështira dhe pa kontrata të rregullta.
Nëse bëjmë krahasim me vendet perëndimore, kontrasti është i madh. Në Gjermani paga minimale mujore është mbi 1,800 euro, në Francë mbi 1,700 euro, ndërsa edhe në Kroaci, një vend i rajonit, paga minimale kalon 700 euro. Në këto vende, edhe pse çmimet janë më të larta, raporti mes pagës dhe kostos së jetesës është shumë më i balancuar: punëtori mund të paguajë qiranë, faturat dhe të ketë mjete për ushqim e kursime minimale.
Në Kosovë, paga minimale është më e vogël se vetë shpenzimi i parë i një qytetari qiraja mujore. Ky është një realitet që ngre pyetje të mëdha mbi drejtësinë sociale dhe mbi vizionin për të ardhmen. Si mund të kërkohet nga qytetarët të ndërtojnë jetë dhe familje, kur paga e tyre nuk u siguron as strehimin më bazik?/Telenews.al/