Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në Pallatin Vahdettin të Stambollit. Pas takimit, dyshja iu drejtuan mediave me një konferencë për media ku shprehën qëndrimet e shteteve që përfaqësojnë.
I pari që mori fjalën ishte nikoqiri, Erdogan i cili u shpreh se mbështet dialogun Kosovë-Serbi. Ndërsa, Kurti tha se me Erdogan kanë biseduar për mundësi të reja të bashkëpunimit në rrafshin ekonomik e tregtar, atë sigurisë e të mbrojtjes.
“Jemi gjithnjë mirënjohës për rolin e Turqisë në intervenimin e NATO-s në Kosovë në vitin 1999, për ndaljen e gjenocidit mbi popullin e Kosovës e që solli çlirimin e paqen në vend, për kontributin e pakursyer në ndërtimin e institucioneve, shpalljen dhe njohjen e pavarësisë sonë dhe për mbështetjen e plotë e të pakursyer të Turqisë në politikën e jashtme”.
Kreu i Qeverisë kosovare u shpreh falënderues ndaj mbështetjes të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në Këshillin e Evropës.
“E falënderova presidentin Erdogan për përkrahjen e Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe në KiE. Në NATO na bashkon orientimi e në KiE vlerat. Në të dyja na bashkon momenti kritik nëpër të cilin po kalon Evropa”, tha Kurti.
Tutje, ai tha se një nga synimet kryesore si Qeveri e Kosovës, është krijimi i një mjedisi të favorshëm për të tërhequr investitorë të huaj, në mënyrë që sipas Kurtit, të krijohet një ekonomi e qëndrueshme.
Më tej, Kurti foli edhe për komunitetin turk në Kosovë e komunitetin shqiptar në Turqi, ku tha se komuniteti turk në Kosovë ka luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm në historinë moderne të Kosovës.
“Komuniteti turk është pjesë integrale e mozaikut tonë të pasur shoqëror dhe kulturor. Sot përfaqësues të këtij komuniteti janë kudo në institucione qendrore e lokale, duke dhënë kontributin e tyre për një Kosovë më të mirë e mirëqenie më të lartë”.
“Në anën tjetër, qytetarët e Turqisë me origjinë nga Kosova po ashtu kanë luajtur një rol të veçantë me kontributin e tyre përgjatë historisë së Turqisë. Ata edhe sot janë një komunitet shembullor e i suksesshëm në Turqi”, është shprehur Kurti.
Tutje, kreu i qeverisë tha se komuniteti turk në Kosovë dhe ai shqiptar në Turqi janë urë e fuqishme e lidhjes mes dy shteteve.
“Bazën e kemi të mirë, lidhjet e forta, vullnetin e madh, andaj lë të angazhohemi për më shumë mundësi, më shumë bashkëpunim dhe më shumë shkëmbim”, tha Kurti..

