Kryeministri Albin Kurti tha sot se nuk ka asnjë të punësuar me mbiemrin e tij në ndonjë ministri në Kosovë.
Kurti u pyet sot nëse kishte koment në lidhje me emërimin e Rilind Gërvallës, aktivist i VV-së, si drejtor televizioni në RTK dhe u shpreh se ishte kryeministri i vetëm, mbiemri i të cilit nuk ndodhej në ndonjë ministri tjetër.
Por, Kurti siç duket injoron faktin se familjarët e tij, që mbajnë mbiemrin Kurti, jetojnë kryesisht në Mal të Zi.
Më 31 janar, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës (RTK) kishte zgjedhur aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Rilind Gërvallën, në pozitën e drejtorit të RTK-së për kanalet shqip (1, 3 dhe 4).
Kurti tha se nuk ka pasur as interesim se kush emërohet në një pozitë në RTK.
“Nuk kam pasur dhe as që kam gatishmërinë e as interesim se kush zgjidhet në RTK. Jam i interesuar ta shoh qe RTK është lider, sepse besoj në shërbimin publik. Në vitet e kaluara ka pas shpërputhje midis buxhetit dhe programit. Programet kulturore edukative, kur nuk mund të presësh shumë prej televizioneve private, e kanë vendin në televizionin publik”, tha Kurti.
“Nuk po them se mungesa e mjeteve e rritë cilësinë, por ka nevojë për reforma. Duhet bërë bordi dhe menaxhmenti aty. Besoni që asnjë anëtar e aktivist, unë nuk e preferoj të marrë ndonjë detyrë”, vijoi Kurti, i cili këtë deklaratë e tha pas Konferencës së Integritetit të Informacionit, në të cilën diskutohej për sigurinë kibernetike.
Për më tepër, shefi i qeverisë tha se as dy vëllezërit e as dy prindërit e tij nuk e kanë shkelur pragun e qeverisë, prej kur ai ka këtë funksion.
“As dy vëllezërit e mi, as dy prindërit e mi, nuk kanë shkelë pragun e ndërtesës së qeverisë dhe nuk do ta bëjnë këtë. Edhe po të bëhej dikush i LDK-së, PDK-së apo AAK-së, prapë është i një partie politike. Unë jam për t’i parë njerëzit me dy kritere, profesioni dhe etika”, ka thënë Kurti, i cili më herët i shihte krejtësisht ndryshe punësimet politike.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti kur ky i fundit tha se nuk ka asnjë të punësuar me mbiemrin e tij në ndonjë ministri.
Kica-Xhelili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka reaguar, duke thënë se rehatimi i mbështetësve dhe përfshirja e tyre në afera milionëshe amnistohet pasi që nuk e kanë mbiemrin Kurti.
“Seriozisht? A mund ta imagjinoni? A mund ta analizoni si përgjigje? Domethënë, sipas tij, rehatimi i mbështetësve, bashkëpartiakëve, donatorëve të VV, madje edhe përfshirja e tyre në afera potenciale milionëshe në sektorin energjetik dhe jo vetëm, AMNISTOHET, sepse nuk e paskan mbiemrin Kurti”.
Tutje, ajo ka pyetur kryeministrin Kurti se ku e ka familjen, gruan e vajzën, ku i arsimon e shëron.
“Shtëpinë ku e ke? Më të rëndësishmen, familjen, gruan e vajzën, ku? Ku i arsimon? Ku i shëron? A ballafaqohet vajza jote në shkollë me bullizimin që fëmijët e politikanëve në Kosovë i kanë duruar deri në vaj depresiv për shkak të diskursit tënd kur ti i shpallje tradhtarë? Varret e gjyshërve e babagjyshërve, dhimbjen e familjarëve të vrarë me mbiemrin tënd, a e ke?”.

