Në kryeqytetin e Francës, Paris, kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në diskutimin e organizuar nga Instituti i mirënjohur francez, Jacques Delors.
Ai u mirëprit nga Drejtorja e Institutit, Sylvie Mattelly. Tema kryesore e diskutimit ishte situata gjeopolitike në Evropë dhe ndikimi i Ballkanit Perëndimor.
“Tema tjera të diskutimit ishin mbrojtja, të drejtat e njeriut, përfshirë ato të pakicave, si dhe zhvillimet e fundit në vend. I pranishëm në këtë tryezë ishte edhe i Dërguari i Posaçëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës për Ballkanin Perëndimor, René Troccaz”, njofton zyra e kryeministrit.
Po ashtu, theksohet se kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për ftesën e Institutit Jacques Delors për të qenë pjesë e këtij diskutimi.
Në fjalën hyrëse, ai theksoi se Evropa po jeton në një kohë të begatë, por njëkohësisht thellësisht të sfiduar, duke shtuar se aftësia për të planifikuar afatgjatë shpesh vihet në hije nga realitete të menjëhershme gjeopolitike. “Për dekada, jemi udhëhequr nga dëshira për homeostazë, por ky më nuk është realiteti ynë. Sistemet që lulëzojnë, qofshin ato institucione, organizata apo shoqëri, evoluojnë përmes cikleve të rendit, çrregullimit dhe rirregullimit, dhe për Evropën, ky ekuilibër i ri kërkon një qëndrim të qartë kundër autoritarizmit dhe përfshirje e qartë e atyre vendeve që mbështesin demokracinë”, u shpreh kryeministri.
Duke folur për Kosovën, kryeministri theksoi se që prej shpalljes së pavarësisë në vitin 2008 me mbështetjen ndërkombëtare, vendi ka zhvilluar institucione të forta demokratike. Gjatë këtij mandati qeveritar, Kosova ka luftuar korrupsionin dhe ka shënuar rritje të qëndrueshme ekonomike. Ai veçoi se në muajin korrik të këtij viti, Fondi Ndërkombëtar Monetar dhe Banka Botërore hoqën zyrtarisht Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prekura nga konflikti, duke u bazuar në përparimin institucional dhe ekonomik të vendit, siç reflektohen edhe në rënien e ndjeshme të papunësisë nga afër 26% në më pak se 11%.
Kryeministri u shpreh se vendi ka prezantuar dhe zbatuar politika progresive sociale që përmirësojnë jetesën dhe mirëqenien e qytetarëve; nga arsimi i lartë publik falas dhe ndarja e shtesave për lehona e fëmijë, te skemat e punësimit të të rinjve dhe pensione më të larta. Ai theksoi se Kosova po përgatitet të mirëpresë Lojërat Mesdhetare 2030, ku do të bëhen investimet më të mëdha në infrastrukturën sportive, dhe falënderoi Agjencinë Franceze për Zhvillim (AFD) dhe përfaqësuesit e saj për mbështetjen dhe bashkëpunimin me institucionet e vendit.
Gjatë diskutimit, u trajtua edhe tema e sigurisë dhe mbrojtjes. Kryeministri nënvizoi vëmendjen që qeveria i ka dhënë mbrojtjes përmes rritjes së buxhetit dhe ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, duke theksuar se mbrojtja e demokracisë është e pandashme dhe e pandalshme.
Në këtë tryezë, kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, dhe ambasadori i Kosovës në Francë, Mehdi Halimi.

