Telenews

Kurti nga Gjilani: Prokuroria po e lufton Qeverinë

kurti:-jemi-ne-proces-te-finalizimit-te-njohjes-se-patente-shofereve-me-kanadane-dhe-turqine

Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë, por i ka ftuar hetuesit e Prokurorisë Speciale që t’i shkojnë në zyrën e tij. Nga Gjilani ku mori pjesë në vënien e gurthemelit të një çerdheje, Kurti tha se Prokuroria po e sulmon Qeverinë.

Sipas Kurtit, ka pasur raste më parë kur “hetuesit kanë ardhur në zyrën e kryeministrit, edhe madje jo vetëm si dëshmitarë, por edhe të pandehur”.

“Asnjëherë s’kam thënë se s’do të jap dëshmi dhe e refuzoj…Kam thënë se jam i gatshëm dhe i interesuar. Kam shkruar letër ku kam treguar edhe oraret kur mund të bëhen. Mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit…S’ka ndonjë arsye që të mos vazhdojë. Pra, qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia nga ana ime”, ka thënë Kurti.

Kryeministri tutje ka shtuar se Prokuroria po e keqpërdor lirinë dhe po e lufton Qeverinë, e jo krimin e korrupsionit.

“Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme dëshminë time, ajo do të vinte te ne. Një prokuror që ka synim dëshminë e një dëshmitari, ajo nuk humb kohë. Shtrohet pyetja pse i humbi Prokuroria 3 muaj. Për bindjen time është e interesuar të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarku sesa të sjellë drejtësi. Kurrë Prokuroria e Shtetit në Kosovë s’ka qenë më e lirë. Lirinë po e përdor e keqpërdor për të luftuar Qeverinë, e jo krimin e korrupsionin. Gjithmonë kam qenë i gatshëm të dëshmoj”, ka shtuar ai.

Kurti nuk paraqitet në Prokurori, pavarësisht urdhrit nga Gjykata

Ora 10:00 ishte koha kur kryeministri Albin Kurti do të duhej të paraqitej në Prokurorinë Speciale për të dëshmuar mbi çështjen e rezervave shtetërore. Por, ai s’e ka bërë këtë.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka urdhëruar Kurtin që të martën (4 shkurt) në orën 10:00 të paraqitej në cilësinë e dëshmitarit, por Kurti, sipas agjendës së Zyrës së Kryeministrit, në këtë orë do të marrë pjesë në vënien e gurit themeltar të çerdhes së re në Gjilan.

“Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, do të vendosin gurin themeltar të çerdhes së re në Gjilan. Vendosja e gurit themeltar bëhet nesër, më 04 mars 2025, në ora 10:00, në lagjen “Livadhet e Arapit” në Gjilan”, thuhet në njoftimin e MASHT-it.

Zyra e Kryeministrit ka thënë se Kurti është i gatshëm të dëshmojë, por jo në ambientet e Prokurorisë. Ai i kishte ftuar prokurorët në zyrën e tij, me arsyetimin që edhe paraardhësit e tij janë intervistuar në këtë formë.

Në thirrjen e dhjetorit për paraqitjen e Kurtit në Prokurori thuhej se nëse refuzohet dhënia e dëshmisë pa arsyetim ligjor, ai mund të dënohet me gjobë, e nëse refuzohet shkuarja edhe pas gjobës, mund të paraburgoset.

Të ngajshme

Drogë dhe vjedhje, arrestohen dy shqiptarë në Gjermani, pritet ekstradimi i tyre

Valjeta Turkaj

Bërnabiqit i dhemb raportimi i mediave kosovare për kaosin në parlament, e përmend edhe Kurtin

Valjeta Turkaj

AGK-dënon sulmet e përsëritura të kryeministrit Albin Kurti ndaj mediave

Valjeta Turkaj