Telenews

Kurti vazhdon të jetë optimist: Brenda muajsh mund të ketë marrëveshje me Serbinë

Në intervistën e tij të radhës për mediat ndërkombëtare, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar për gazetën zvicerane Blick se ai vazhdon të jetë shpresëplotë se një marrëveshje me Serbinë mund të arrihet brenda muajve të ardhshëm.

“Unë jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti për të arritur një marrëveshje – me mbështetje të Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe”, i ka thënë ai gazetares Leah Hartmann, redaktore e politikës në Blick.

“Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë”, shtoi Kurti.

“Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviç-it dhe tani nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konflikt në Kosovë”.

Intervista e plotë e Kurtit për Blick:

Blick: Zoti Kurti, a është shmangur rreziku i një përshkallëzimi në veri të Kosovës?

Albin Kurti: Situata është e qetë për momentin, policia jonë është prezente. Dhe së fundi kam bërë një thirrje publike për të gjithë serbët në Kosovë që të aplikojnë për punë në shërbimin publik, për shembull në forcën policore. Kjo vjen pasi zyrtarët serbë dhanë dorëheqjen mes tensioneve në veri të Kosovës. Nuk është qëllimi im të zëvendësoj serbët në pushtet me shqiptarë! Dua serbët në këto pozita.

Tensionet e fundit u shkaktuan nga një mosmarrëveshje mbi targat serbe të makinave. Duke parë mbrapa, a ishte vendimi juaj në këtë drejtim i gabuar?

Jo, mendoj se kemi bërë gjithçka siç duhet. Këto targa të vjetra serbe janë një trashëgimi e regjimit të Millosheviç-it, i cili ushtroi dhunë ekstreme ndaj nesh shqiptarëve. Mosmarrëveshja për njohjen reciproke të targave është vetëm një simptomë e problemit thelbësor që Kosova dhe Serbia nuk e njohin njëra-tjetrën. Ne duhet të arrijmë një normalizim të marrëdhënieve.

Qëllimi dikur ishte të gjenit një marrëveshje me Serbinë deri në pranverë. Kjo tani duket utopike…

Unë jam optimist se një marrëveshje mund të arrihet brenda pak muajsh nëse ekziston vullneti për të arritur një marrëveshje – me mbështetje të Perëndimit demokratik, pra BE-së, NATO-s, SHBA-së dhe Britanisë së Madhe. Unë kam shprehur vullnetin tim për ta bërë këtë. Por për një marrëveshje duhen dy palë. Për të pasur paqe afatgjatë, siguri dhe stabilitet rajonal, Serbia duhet të distancohet dy herë: nga e kaluara e Millosheviç-it dhe tani nga Putini. Sepse Serbia po i afrohet gjithnjë e më shumë Rusisë. Putin dëshiron të nxisë konflikt në Kosovë.

Çfarë mund të kontribuojë Zvicra në një marrëveshje?

Zvicra paqedashëse na kupton shumë mirë – qoftë edhe sepse shumë nga qytetarët tanë jetojnë këtu. Dhe Zvicra luan një rol të rëndësishëm: qoftë në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes në Kosovë apo në lidhje me një marrëveshje paqeje.

Të mërkurën do të takoheni me këshilltarët federalë Viola Amherd dhe Guy Parmelin. Çfarë do të propozoni konkretisht?

Kush e di, ndoshta së bashku mund të gjejmë një mënyrë që Zvicra të përfshihet edhe më shumë. Nuk mund të them më shumë për këtë ende.

Në Zvicër, partia më e madhe, SVP, po kërkon që Zvicra të tërheqë ushtarët e saj nga Kosova. Çfarë do të thotë kjo?

I jemi shumë mirënjohës Zvicrës për kontributin që po jep Sëisscoy (ushtria zvicerane) në Kosovë. Ne nuk do të dëshironim që ajo të tërheqë ushtarët e saj nga Kosova. Tani nuk është koha e duhur për këtë.

Serbia ka ndërtuar 48 baza ushtarake në kufirin tonë, të cilat përbëjnë kërcënim për vendin tonë, pranë tyre janë parë mercenarë të grupit Ëagner dhe bandës famëkeqe të Ujqërve të Natës. Ne kemi nevojë për mbështetjen e Zvicrës dhe mezi pres që Zvicra të zgjasë mandatin e saj deri në vitin 2026 së shpejti.

Keni bërë thirrje për shtimin e trupave të NATO-s. Pse?

Unë kam sinjalizuar interesin tim për një rritje – por sigurisht që i takon NATO-s të vendosë. Unë mendoj se fakti që ne kemi një fqinj më të madh që nuk na njeh dhe që po bashkëpunon gjithnjë e më shumë me Kremlinin duhet të inkurajojë NATO-n të rrisë praninë e saj. Kjo zvogëlon gjasat e konflikteve të ardhshme.

Keni frikë nga Vladimir Putin?

Unë jam i kujdesshëm, por nuk kam frikë kurrë. Unë jam vigjilent. Putini është i fiksuar pas vendit tonë. Ai ishte i kënaqur për mungesën e suksesit të ndërhyrjeve perëndimore në Irak dhe Afganistan. Atë e zemëron dhe e nervozon fakti që kanë pasur sukses në Kosovë.

Me çfarë qëllimi keni udhëtuar në ËEF?

ËEF ka të bëjë kryesisht me tërheqjen e investitorëve të rinj në vendin tonë. Kosova është shtet kushtetues, ekonomia jonë po rritet, kemi rini të talentuar, mosha mesatare e popullsisë është vetëm 31 vjet. Kjo na bën shumë tërheqës për investitorët.

A do ta bëni këtë reklamë edhe në takimin me ministrin e biznesit, Guy Parmelin?

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Zvicrës janë të shkëlqyera. Ne duhet të shohim se si mund të kemi më shumë tregti dhe investime. Vitin e kaluar, investimet zvicerane në Kosovë janë rritur për 44 për qind krahasuar me vitin paraprak. Mezi pres të ndërtoj mbi këtë.

Cila është marrëdhënia juaj me Zvicrën?

Unë kam shumë miq këtu. Zvicra është shtëpia e klasës sonë punëtore, e cila është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne me transfertat e parave në shtëpi. Nuk do ta harroj kurrë se ish-këshilltarja federale Micheline Calmy-Rey ishte politikanja e parë perëndimore që bëri thirrje për pavarësi të plotë të Kosovës. Ajo ishte një pioniere.

Zvicra është edhe shtëpia e disa futbollistëve të shkëlqyer me rrënjë kosovare. U bënë sërish polemika në Kupën e Botës, kur Granit Xhaka veshi një fanellë me mbishkrimin Jashari, emri i komandantit të parë të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas fitores ndaj Serbisë. A jeni OK me deklarata të tilla politike në fushën e futbollit?

Varet. Mendoj se deklaratat kundër racizmit janë të drejta dhe të rëndësishme. Dhe nëse dikush nderon identitetin e tij, kjo është mirë edhe me mua.

Keni një mesazh për Xhakën, Shaqirin dhe shokët?

Faleminderit që frymëzuat kaq shumë talente të rinj për të luajtur futboll edhe në Kosovë.

Le t’i kthehemi politikës. Jeni në kontakt të ngushtë me bashkëpresidentin e PS-së Cédric Ëermuth. A ka ndonjë gjë që dëshironi të mësoni nga socialdemokratët zviceranë?

Cédric është një mik i mirë i imi. Partitë tona i përkasin të njëjtës familje ideologjike. Prandaj, të enjten do të nënshkruajmë një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për vitin 2023 deri në 2025 mes dy palëve tona. Do të bëhet fjalë për dialog politik, ndihmë zhvillimore, biznes, arsim, por edhe bashkëpunim në zgjedhje. Sepse ne kemi shumë kosovarë në Zvicër që janë anëtarë të PS-së dhe njëkohësisht të partisë sime Vetëvendosje. Ne duam të ndihmojmë njëri-tjetrin me fushata.

Pra, në prag të zgjedhjeve të 2025-ës në Kosovë, PS-ja do të bëjë fushatë për partinë tuaj – dhe ju, anasjelltas, këtë vit për PS-në?

Epo, do të shohim se si do të duket saktësisht bashkëpunimi. Por synimi është që ne të mbështesim njëri-tjetrin në fushatën zgjedhore. Me synimin që të dyja partitë të fitojnë.

Të ngajshme

Mbretëria e Bashkuar riafirmon përkrahjen për aspiratat ndërkombëtare të Kosovës

KushtrimGuraj

Osmani takon përfaqësuesit e NATO-s, vlerëson rolin e NALT-it për FSK-në

Rrezarta Ramaj

Shqipëria nxjerr në shitje fanellat speciale për Kupën e Botës

Rrezarta Ramaj