Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”, me 64 vota për dhe asnjë kundër apo abstenim, duke i hapur rrugë organizimit të këtij eventi të madh sportiv në vend. Megjithatë, projektligji është shoqëruar me debat dhe kritika nga opozita, e cila ka ngritur shqetësime për transparencën, llogaridhënien dhe menaxhimin e financave publike.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu, ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me përmbajtjen e ligjit dhe mungesën e mekanizmave shtesë të raportimit institucional. Ajo ka theksuar nevojën që Komiteti Organizativ të raportojë edhe para Kuvendit, duke pasur parasysh se financimi kryesor vjen nga buxheti i shtetit, si dhe ka ngritur çështjen e shmangies së procedurave të prokurimit publik, për të cilat, sipas saj, ka reaguar edhe Bashkimi Evropian.
Nga ana tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adelina Thaqi-Meta, ka vënë në pah mungesën e qartësisë ligjore dhe të llogaridhënies në projektligj. Ajo ka përmendur vërejtjet e Bashkimit Evropian, duke theksuar shqetësimet për strukturën e bordit drejtues dhe përfshirjen e gjerë të përfaqësuesve qeveritarë në këtë organ.
“Mungesa e qartësisë ligjore dhe e llogaridhënies ngre shqetësime serioze në lidhje me pajtueshmërinë me standartet për menaxhimin financiar publik. Këto janë vërejtje e BE-së, të cilat i kam theksuar edhe në seancën e kaluar ku rreth bordit drejtues theksojnë se si trupi më i lartë drejtues i gjithë projektit, pra të OSMG -së, atu ishin planifikuar të hyjë gjithë qeveria, prej kryeministrisë si drejtës, që nuk ngjanë askund e tutje edhe me katër ministra”, deklaroi Thaqi-Meta.
Kritika ka adresuar edhe deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, i cili ka theksuar rrezikun e anashkalimit të procedurave të prokurimit publik për një shumë të konsiderueshme të mjeteve buxhetore. Ai ka ngritur dilema për mënyrën e menaxhimit të këtyre fondeve dhe për kompetencat që i jepen trupit organizativ.
“Po flasim për një anashkalim të procedurave të prokurimit publik në Kosovë për një shumë prej 254 milion euro para të buxhetit të Kosovës. Ju me këtë ligj po kërkoni që deputet të iu lejojnë të hiqni dorë nga procedurat që i ka përcaktuar ky kuvend me ligj për përdorimin e parasë publike dhe t’ia besojmë një trupi që ju si qeveri keni për ta krijuar për ta përcaktuar se si do të shpërndahen këto mjete. Mendoj se kjo është e pa drejtë”, theksoi Mustafa.
Në anën tjetër, ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka mbrojtur projektligjin duke theksuar se legjislacioni për prokurimin publik mbetet në fuqi për të gjitha shpenzimet që financohen nga buxheti i shtetit. Ai ka sqaruar se rregulloret e brendshme të Komitetit Organizativ janë në përputhje me ligjin dhe të domosdoshme për organizimin e Lojërave, në përputhje me standardet ndërkombëtare të përcaktuara nga organet përkatëse.
“Ligji për prokurim mbetet plotësisht në fuqi për të gjitha shpenzimet që financohen nga buxheti i shtetit. Rregulloret e brendshme të Komitetit Organizativ nuk mund të bien ndeshe me legjislacionin në fuqi dhe këto rregullore janë të domosdoshme dhe burojnë nga kërkesat dhe standartet e vendosura për këto ngjarje nga ICMG e cila është pronare e lojërave”, tha Gashani.

