Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë ndryshimin e Ligjit për pronën e paluajtshme, përmes të cilit mundësohet zbritja prej 100 euro në faturat e tatimit në pronë për vitin 2023.
Sipas Ministrisë së Financave, përmes këtij Ligji po ashtu mundësohen lirime tatimore për banimin primar e tokën bujqësore.
“Kufizim të përllogaritjes së interesit që të mos tejkalojë vlerën e detyrimit tatimor, zbritje të shkallës së poshtme tatimore për vitin 2024 dhe fillimin e aplikimit të tatimit progresiv nga viti 2025”- janë disa çështje tjera që mundëson ky Ligj.
Ky Ligj është miratuar sot në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Të pranishëm në votimin e kësaj pike kanë qenë deputetët e Grupit Parlamentar të LVV-së, ndërsa partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në seancë.
Rivlerësimi i pronave në fillim të vitit nga Ministria e Financave nxiti reagime të shumta te qytetarët.
Ministria ka vlerësuar pronat në bazë të të dhënave të tregut, gjë që ka shkaktuar rritje të vlerës.

