Arrestimi dhe shoqërimi i të dyshuarve që kapen për vepra të ndryshme penale bëhet me siguri të lartë, që ua pamundëson atyre ikjen. Por raste të tilla nuk janë edhe të rralla për Policinë e Kosovës. Shpeshherë ka ndodhur që të dyshuarit t’iu ikin para syve të tyre, qoftë në lokacionet ku kanë intervenuar, apo edhe nga stacionet policore. Një rast i tillë ka ndodhur të enjten në Gjakovë
Burimet kanë bërë me dije se i dyshuari që po kërkohet nga Policia është Haxhi Shala, 29-vjeçar – i cili u arratis nga Qendra e Ndalimit dhe akoma nuk është kapur.
Mësohet se gjithçka dyshohet se ndodhi për pak minuta, kur i dyshuari shfrytëzoi kohën derisa zyrtari policor që po merrej me rastin po kryente procedurat e tjera dhe u hodh nga dritarja.
Të njëjtat burime thonë se kjo bëri që Policia të aktivizohej sërish, por i dyshuari është larguar në një drejtim të panjohur dhe ende nuk është bërë lokalizimi i vendndodhjes së tij.
Lidhur me rastin, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme.
Rastin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Gjakovë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

