Telenews

LAJMI I FUNDIT: RUSIA PO E BOMBARDON UKRAINËN NGA TË GJITHA ANËT

Autoritetet kanë raportuar për disa shpërthime në perëndim dhe lindje të Ukrainës më 18 prill, teksa forcat ruse pretendojnë se kanë kontrollin e plotë të qytetit-port të Mariupolit, që gjendet në jug të Ukrainës.
Pasi kanë dështuar të thyejnë rezistencën ukrainase në veri, ushtria ruse tani ka përqendruar ofensivën e saj në Donbas, në lindje të Ukrainës. Por, Moska po ashtu po kryen sulme ajrore edhe në pjesë të tjera të vendit, përfshirë edhe në kryeqytet, Kiev.
Mëngjesin e së hënës janë dëgjuar disa shpërthime në qytetin ukrainas të Lvivit, që besohet se janë shkaktuar nga sulmet me raketa.

Lvivi dhe pjesa tjetër e Ukrainës perëndimore kanë qenë më pak të prekura nga luftimet krahasuar me pjesë të tjera të vendit, qëkur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Kryetari i Lvivit, Andriy Sadovyi, ka shkruar në Facebook se pesë raketa kanë goditur qytetin dhe se shërbimet e emergjencës kanë dalë në vendin e ngjarjes. Por, ai nuk ka dhënë më shumë detaje.
Ndërkaq, guvernatori i këtij rajoni, Makysm Kozytskyi, tha se sipas “informacioneve paraprake”, të paktën katër raketa kanë goditur Lvivin.
“Qëndroni në strehimore”, porositi ai qytetarët e këtij rajoni përmes një postimi në Telegram.

Shpërthime janë raportuar edhe në rajonin jugor të Dipropetrovsk, por ende nuk ka informacione lidhur me viktimat apo dëmet e mundshme.

 
Njoftimet për sulme në Lviv dhe Dipropetrovsk vijnë teksa Rusia ka vazhduar sulmet në lindje të Ukrainës. Kievi, në anën tjetër, është është zotuar se do të “luftoj deri në fund” në qytetin strategjik të Mariupolit.
Teksa sulmet me raketa po vazhdojnë në pjesë të ndryshme të Ukrainës, presidenti i këtij shteti, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar ushtarët rusë se po kryejnë tortura dhe rrëmbime në zonat që kanë nën kontroll.
Nëse qyteti-port i Mariupolit bie nën kontrollin rus, atëherë kjo do t’i jepte Moskës fitoren më të madhe në luftë. Por, disa mijëra luftëtarë ukrainas, siç ka vlerësuar Rusia, janë bllokuar në fabrikën e çelikut, Azovstal, kompleksi i së cilës është prej 11 kilometrash katrorë.
“Ne do të luftojmë deri në fund për ta fituar këtë luftë”, tha kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, gjatë një interviste për ABC. Ai tha se Ukraina është e përgatitur që t’i japë fund luftës përmes diplomacisë, nëse është e mundur, “por ne nuk kemi ndërmend të dorëzohemi”.
Ndërkaq, gjatë një adresimi në orët e vona të së dielës, presidenti ukrainas, Zelensky tha se pala ukrainase po bën gjithçka për të mbrojtur lindjen e vendit.

Të ngajshme

Kurti: Serbia ende i sheh si shtete të përkohshme Kosovën, Malin e Zi e Bosnjën

Donat Hashani

Arrestohet ish zyrtarja e kryeministrisë Alda Klosi, akuzohet për pastrim parash

Miftar Zejnullahu

“New York Times” sjell detaje të reja për dosjen McGonigal ky dyshohet të jetë i përfshirë Edi Rama

Miftar Zejnullahu