Në hyrje të fshatit Negroc, vendlindjes së Jakup Krasniqit, më 26 nëntor pritet të përurohet lapidari kushtuar ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), një figurë qendrore e luftës çlirimtare dhe e ndërtimit të shtetit.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali nipi i tij, Ariani, i cili ka bërë të ditur se ceremonia e përurimit është paraparë të mbahet me fillim nga ora 12:00.
Ky organizim vjen vetëm pak ditë pasi Jakup Krasniqi gjatë fundjavës që lamë pas përfundoi vizitën humanitare pranë familjes së tij në Prishtinë, vizitë kjo që u realizua për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore të bashkëshortes së tij.
Kujtojmë se në vendimin e shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë, Jakup Krasniqi u dënua me 25 vjet burgim. Aktualisht, ekipi i tij mbrojtës, sikurse edhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit, janë në fazën e përgatitjeve për betejën e radhës ligjore në Gjykatën e Apelit.

