Largimi i Martinez shokoi tifozët e Barcelonës – Laporta tregon arsyen që fshihet pas saj
Gjatë fundjavës, Barcelona ka finalizuar largimin e Inigo Martinez, i cili iu bashkua skuadrës Al-Nassr në Arabinë Saudite me parametra zero.
Largimi i mbrojtësit 34-vjeçar erdhi si një befasi për shumëkënd, pasi ai pritej të ishte titullar i rregullt në skemën e Hansi Flick për sezonin 2025/2026.
Raportimet paraprake sugjeronin se Martinez kishte një klauzolë në kontratë që i lejonte largimin falas në rast se do të kërkonte një mundësi të re.
Edhe pse kjo mund të jetë e vërtetë, presidenti i klubit, Joan Laporta, ka lënë të kuptohet se lojtari u nxit që të pranonte ofertën nga Arabia Saudite.
“Deco e tha qartë që kishim pesë qendërmbrojtës dhe se njëri duhej të largohej. Mendoj se Inigo do të kishte dashur të qëndronte edhe një sezon, por ky është një tren që kalon vetëm një herë”
“Besoj se mori një vendim të mirë, një vendim në nivel familjar. Ai erdhi falas dhe që në fillim kishim rënë dakord që nëse do të vinte një mundësi si kjo, do ta linim të largohej”.
Megjithëse largimi i Martinez përbën një humbje në aspektin sportiv, heqja e pagës së tij nga bilanci financiar është një lajm pozitiv për Barcelonën, që po përpiqet të regjistrojë disa lojtarë përpara nisjes së sezonit të ri të La Ligës këtë fundjavë.
Sidoqoftë, edhe kjo lëvizje mund të mos mjaftojë për të siguruar që emra si Joan Garcia, Marcus Rashford dhe Roony Bardghji të jenë të gatshëm për ndeshjen e parë kundër Mallorcës. Megjithatë, Laporta mbetet optimist.
“Po punojmë që të gjithë të regjistrohen në kohë. Me vendimin e Marc, kemi disa opsione në varësi të asaj që thotë raporti mjekësor. Këtë javë do të ndodhin gjëra”, përfundoi ai./