Telenews

Lista Serbe: Radojeçiç është në Kosovë, Sveçla vjen në Veri i fshehur

Lista Serbe përmes një reagimi në Facebook ka thënë se po ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po e kërcënon nënkryetarin e tyre Milan Radojeçiç.

Sipas tyre, kërcënimet që Sveçla i bën nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radoiçiç janë pasqyrë e dobësisë dhe pafuqisë që ndjen Sveçla në lidhje me respektin dhe mbështetjen që serbët në veri i japin Radoiçiç-it në luftën për të drejtat e popullit serb.

“Të gjithë në Prishtinë, madje edhe Xhelal Sveçla e dinë shumë mirë se nënkryetari ynë është këtu i vetëm, me njerëzit e tij në Kosovën, në tokën e tij dhe Sveçla dhe forcat e tij speciale janë thjesht mysafirë të paftuar dhe të padëshiruar, të cilët janë trima vetëm mbi të paarmatosur ndaj qytetarëve, grave dhe fëmijëve”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

“Do t’i kujtojmë zotit Sveçla se ai vjen në veri i fshehur me vetura të blinduar të errët, pas dhjetëra kontrolleve dhe analizave, me përmbajtje minimale, sepse fjalët e tij janë të mëdha, zemra dhe veprat e tij janë të vogla dhe se në çdo mbërritje ai ka frikë të mos takohet me zotin Radoiçiç, gjë që është bërë një obsesion i dukshëm për të dhe një makth”.

Lista Serbe kanë thënë po ashtu se qëllimi i Sveçles është pushtimi i Veriut dhe jo stabilizimi i mundësive, por ju gjithashtu duhet të kuptoni se serbët kurrë nuk do të pajtohen me këtë.

Gjatë muajit korrik, përmes një video-mesazhi, Milan Radojçiç, i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç, është lajmëruar nga veriu i Kosovës, konkretisht nga Leposaviqi.

Më 3 shkurt, Radojçiç kishte arritur t’i arratiset Policisë së Kosovës në pikën kufitare në Bërnjak.

Radojiçiç ishte duke u futur në Kosovë nga Serbia kur u ndalua nga organet e rendit dhe në momentin kur polici kufitar ka kontrolluar dokumentet e tij ka rezultuar se ai është person në kërkim.

Në atë moment, ai ka vozitur makinën e tij mbrapa dhe është arratisur për në Serbi.

“Po ka lidhje drejtpërdrejt me rastin Brezovica”, pati konfirmuar prokurori Rasim Maloku për AP, duke shpjeguar mëtej rastin.

Pse ishte tërhequr urdhërarresti për arrestimin e Radojeçiç?

Në muajin mars të vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës i kishte bërë kërkesë Gjykatës Themelore në Prishtinë për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj Milan Radoiçiçit, i cili dyshohej për veprën penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç dhe Themelorja ia ka aprovuar.

Në aktvendim të Gjykatës, thuhej se “pas shqyrtimit dhe analizimit të kërkesës së Prokurorisë Speciale për tërheqjen e urdhër-arrestit ndaj të dyshuarit, konstatohet se kërkesa është e arsyetuar mirë”.

“Nuk ka mundur që i dyshuari të sillet para organeve të drejtësisë, respektivisht në Prokurorinë Speciale, për shkaqe teknike dhe taktike të hetimit më të mirë të veprave penale e që dyshohet se i njëjti është i përfshirë në kryerjen e tyre”, thuhet në aktvendimin e Gjykatë Themelore në Prishtinë.

Ndërkaq më 23 nëntor të vitit të 2018, Policia e Kosovës zhvilloi një operacion të kërkimit në veri të vendit me qëllim të arrestimit të Milan Radoiçiç i cili nuk u gjet në vendqëndrimin e tij ndërsa gjatë këtij operacioni u arrestuan katër persona.

Më tetë dhjetor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vënë sanksione edhe ndaj disa serbëve të Kosovës.

Serbi nga Kosova, Zvonko Veselinoviç bashkë me të vëllain e 10 persona të tjerë kanë hyrë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi që janë të dyshuar për kryerjen e disa veprave që bien ndesh me ligjin e që kanë të bëjnë me krimin e organizuar e korrupsionin.

Emri i tij është përmendur shpesh kur bëhej fjalë për “të fortit” e pjesës Veriore të Mitrovicës, por së fundi Departamenti Amerikan i Shteteve të Bashkuara doli me një njoftim se këtyre personave u ka ndaluar hyrjen në SHBA.

Përveç Zvonko Veselinoviç, DASH ka njoftuar se ndalesa për të hyrë në SHBA u është vënë edhe Zharko Veselinoviç, të vëllait, pastaj Zhelko Bojiç, Milan Mihajloviç, Sinisha Nedeljkoviç, Radovan Radiç, Milan Radisavleviç, Milojko Radisavleviç, Milan Radojçiç, Marko Rosiç, Radule Steviç, Milivoje Vuloviç.

Vuçiç për Radojeçiç-in: A është në Kosovë apo jo, kjo është çështje e tij private

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i pyetur nga gazetarët për video-mesazhin e Milan Radojiçiçit nga Leposaviqi të martën, tha se beson se ka të drejtë të qëndrojë apo të jetojë ku të dojë.

“E ku duhet të jetë Radojiçiç, kush është nga Kosova? Apo dëshironi që ne të urdhërojmë që njerëzit të tërhiqen nga veriu i Kosovës në pjesën qendrore të Serbisë? Ku është Radojiçiç, në Kosovë apo jo, është çështje e tij private. Nuk ka lidhje me shtetin dhe nuk ka pasur asnjëherë”, tha Vuçiç.

Ai kundërshtoi faktin që disa media e quajnë Radojiçiç-in një biznesmen kontrovers.

Të ngajshme

Tentoi të vriste Donald Trump, atentatori 58-vjeçar del para gjykatës i prangosur këmbë e duar

Erzana Fazliu

Asllani vazhdon kontratën me Interin

Erzana Fazliu

Nga nesër shtrëngata shiu dhe erëra të forta në Itali, alarm në 10 rajone

Erzana Fazliu