
Deputetja e LDK-së, Jehona Lushaku, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për mosvazhdimin e procedurës së votimit për nënkryetarët e Kuvendit, raporotn Ekonomia Online.
Lushaku e ka cilësuar situatën si të paprecedentë, duke thënë se grupi më i madh parlamentar po pengon vazhdimin e procesit në mungesë të përkrahjes për propozimet e partive të tjera.
“Kjo është situatë e paprecedentë ku nuk vazhdohet konstituimi në mungesë të përkrahjes nga grupi më i madh për propozimet për nënkryetarë që i kanë bërë partitë e tjera”, tha Lushaku
Ajo tha se LDK-ja e ka propozuar Kujtim Shalën për nënkryetar të Kuvendit, duke vlerësuar se përgatitja e tij do t’i sillte nder Kuvendit të Kosovës.
“Ne si parti politike kemi obligim t’i japim propozimet tona më të mira. E kemi propozuar Kujtim Shalën sepse besojmë që përgatitja e tij i jep nder Kuvendit të Kosovës dhe i kemi qëndruar prapa propozimit tonë”, deklaroi ajo pas përfundimit të seancës konstituive.
Lushaku theksoi se Kosova tashmë është jashtë afateve kushtetuese dhe se, sipas saj, përgjegjësia për mosvazhdimin e procesit bie mbi Vetëvendosjen.
“Grupi më i madh parlamentar po harron që jemi veç jashtë afateve kushtetuese dhe jemi në një situatë ku, për dëshirën e mirë, po ia japim mundësinë Kosovës, dhe sot nuk po bëhet kjo për fajin e VV-së”, tha Lushaku.

