Telenews

LVV-ja kërkon hapjen e urës mbi lumin Ibër

Gjatë seancës së Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje më 31 maj kërkuan që të zbatohet vendimi për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër për trafik.

Asamblistja e LVV-së, Aida Ferati-Doli, ka thënë se çështje e urës mbi Ibër ishte diskutuar në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian më 2015 dhe “është mbyllur kjo çështje”.

Sipas saj, çështja e urës i takon dy komunave, të Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, si dhe Republikës së Kosovës.

“Vendimi që e kemi marrë vitin e kaluar nuk duhet të kthehet asnjëherë mbrapsht. Gjithsesi, qytetarët e kanë parë deklaratën dhe kanë filluar të pyesin kur do të hapet dhe do të thotë janë shumë të entuziazmuar dhe të gëzuar për këtë çështje”, ka deklaruar ajo gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal më 31 maj, raporton Radio Evropa e Lirë.

Në seancë, kryetari i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, ka deklaruar se është për hapjen e urës, për lëvizjen e lirë “sipas standardeve evropiane”.

Ai ka thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës është i obligueshëm për autoritetet lokale.

“Ne e përkrahim çdo lëvizje, ura s’na duhet si simbolikë, por na duhet për bashkëjetesë mes komuniteteve”, ka thënë ai.

Mediat largohen nga seanca e Kuvendit të Mitrovicës së Veriut

Bashkimi Evropian, që ndërmjetëson dialogun për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, thotë se çështja e urës mbi lumin Ibër duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel.

Ura mbi lumin Ibër që nga viti 1999 e ndan Mitrovicën në pjesën jugore, të banuar me shumicë shqiptare dhe në pjesën veriore, të banuar me shumicë serbe.

Vendimi për hapjen e urës u mor në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut prillin e vitit 2023, por ky vendim nuk është zbatuar ende.

Kjo komunë udhëhiqet nga Erden Atiq, i cili vjen nga Lëvizja Vetëvendosje – partia e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Kundër zbatimit të vendimit për hapjen e urës mbi Ibër është shprehur Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.

Kjo parti tha se hapja e urës për automjete është “absolutisht e panevojshme, e papranueshme dhe një lëvizje përshkallëzuese, që synon destabilizimin e mëtejshëm të situatës në terren”.

Lista Serbe, përmes një njoftimi, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “t’i tregojë Kurtit se hapja e urës nuk mund të bëhet pa pëlqimin e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës”.

source

Të ngajshme

Ngjarjet e datës 19 shtator

Erzana Fazliu

Nivel tjetër i korrupsionit: Faton Peci ua punëson gratë tre policëve që po e hetonin

KushtrimGuraj

Tahiri: Të formohet një Qeveri pa Kurtin

KushtrimGuraj