Telenews

LVV tha se Rama erdhi në Kosovë me helikopter që të votohej Specialja, reagon kryeministri: Para 10 vjetëve ju nuk e njihnit himnin e shtetit

Të premten, më 17 shtator në sheshin “Skënderbej” në Tiranë do të mbahet në orën 17:00 një protestë gjithëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

E kjo protestë ka nxitur një përplasje verbale mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Lëvizja Vetëvendosje të mërkurën në një reagim në Facebook theksoi se ka qenë kundër themelimit të Gjykatës Speciale që nga fillimi dhe kërkon që ata që kanë lobuar për formimin e saj të shprehin pendesë.

Shembull i qartë sipas Vetëvendosjes është kryeministri shqiptar, Edi Rama.

“Para se të protestojnë, këta aktorë dhe politikanë duhet të tregojnë të paktën një minimum pendese për qëndrimet e tyre të gabuara në të kaluarën. Një shembull i qartë është vet Kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte ardhur në Kosovë në vizitë emergjente me helikopter për të bindur palët që të votonin pro themelimit të Gjykatës Speciale”, shkruan LVV.

E pas kësaj deklarate të Lëvizjes Vetëvendosje, sot ka reaguar kryeministri Edi Rama.

Ai në një postim në X shkruan se nuk është në asnjë lloj gare me Lëvizjen Vetëvendosje dhe i vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale.

“Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale… Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti a nevoja, ndërsa Lëvizja dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim.

Por unë s’jam në asnjë lloj gare me Lëvizjen dhe më vjen keq që Lëvizja i ngatërron marrëdhëniet institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale, ndërsa për qëndrimet e para 10 vjetëve – kur ajo nuk njihte as himnin e Kosovës e jo më pafajësinë e Hashim Thaçit, të cilin do ta donte përjetësisht në Hagë – i kujtoj Lëvizjes se Gjykata Speciale u ngrit për trafikun e organeve, jo për të marrë peng Presidentin e Republikës së Kosovës”, shkruan Rama.

Tutje, kryeministri shqiptar shkruan se nuk është as organizator e as folës i protestës gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, por të cilën e mbështet me gjithë zemër.

“….unë as nuk jam organizator e as nuk jam folës i protestës gjithëkombëtare ‘Drejtësi për Çlirimtarët’, të cilën e mbështes megjithë zemër e do t’i bashkohesha si pjesëmarrës i thjeshtë, nëse nuk do të isha i vetëdijshëm se çdo politizim me dashje ose jo i asaj nisme, do të dëmtonte qëllimin dhe popullaritetin e saj”, shkruan Rama.

Të ngajshme

Krim brenda familjes kosovare në Gjermani: Burri mbyt gruan e më pas vret veten

Valjeta Turkaj

FSK-ja futet gabimisht në veri

Valjeta Turkaj

Rrezik në rrugën “Ndue Përlleshi” në Prishtinë, kabllot elektrike të rëna në tokë

Valjeta Turkaj