Klubi i futbollit Malisheva e ka përgënjeshtruar një deklaratë të bërë sot nga trajneri i Llapit, Tahir Batatina, lidhur me ankesën e klubit llapjan për ndeshjen ndaj Malishevës.
Batatina në prononcimin e tij kishte deklaruar se kinse Malisheva e ka pranuar se ka gabuar, por i shpejtë ka qenë reagimi i këtyre të fundit.
Malisheva e ka quajtur gënjeshtër deklaratën e Batatinës, teksa e ka akuzuar Llapin se ka dashur t’i marrë pikët në mënyrë të pasinqertë.
“Sot, kemi lexuar një deklaratë të trajnerit të ekipit të KF Llapit, Tahir Batatina i cili flet për Gazetën Express, gjë që na ka lënë me ndjesi të pakëndshme dhe na bëri të reagojmë për opinionin publik. Kjo deklaratë e tij erdhi pas vendimit të Komisioni të shkallës së dytë i cili hedhi gjithashtu poshtë ankesën e KF Llapit lidhur me ndeshjen e zhvilluar në Malishevë në kuadër të javës së 25të të Albi Mall Superliga. Në këtë deklaratë, ai pohon se “Malisheva kishte pranuar gabimin”. – Gënjeshtër! Malisheva nuk ka pranuar ndonjë gabim, sepse nuk kishte asnjë gabim për t’u pranuar. Kur ne kemi kuptuar se KF Llapi kishte bërë ankesë lidhur me parregullsinë e lojtarit Rilind Haziraj për lojën në fjalë, “dorën në zemër” na është dukur qesharake, njëkohësisht edhe bizare.
Nëse ne kemi heshtur deri më tani lidhur me këtë histori, nuk nënkupton pranim të gabimit, por nënkupton durim dhe besim në organet kompetente të FFK-së për ta trajtuar rastin dhe për të marrë vendimin e duhur. Ne nuk kemi dashur të bëjmë presion te FFK-ja për të ndikuar në vendim-marrje, por kemi besuar në të drejtën tonë të siguruar nga Rregulloret e Garave dhe kemi besuar në profesionalizmin e organeve kompetente të FFK-së. Rregulloret e FFK-së janë të shkruara në gjuhën shqipe, me një gjuhë të thjeshtë, të rrjedhshme, e të qartë sa për t’i kuptuar edhe një 8 vjeqar. Problemi te këto rregullore është se ato duhet të lexohen e jo të shikohen. Që në fillim e patëm kuptuar se ankesa e Llapit ishte një përpjekje e fundit e dëshpëruar për të marrë pikët në mënyrë të pa sinqertë.”, thuhet në komunikatën e Malishevës.

