Pas rezultateve të dobëta të kombëtares së Kosovës në futboll, analisti Halil Matoshi ka kërkuar që Prokuroria të fillojë hetimet në Federatën e Futbollit të Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në FFK duhet të bëhet një auditim urgjent nga Zyra Kombëtare e Auditimi dhe një investigim ex oficio i Prokurorit të Shtetit.
Sipas tij, në FFK është shpenzuar pa kara paraja publike.
“Prokuroria e shtetit duhet me zbarku në FFK, ex oficio. Ngjyrat e kombētares kosovare (imazhi i shtetit) janë njollosun randë! Nga lloqi dhe papërgjegjësia! Me sjellje të papërgjegjshme të palëve, âsht damtu skajshëm besimi i lojtarëve kosovarë në FFK sa që shumica shikojnë kah kombëtarja shqiptare, kurse publikut i âsht zbehë besimi në këtë kombëtare. Rezultati i dobët në grupin ma të letë kualifikues (kur edhe Zvicra e Rumania vuenin ditët e tyne të zeza) duhej me e çu Agim Ademin në dorëheqje megjithë kryesinë e FFK-së dhe shtabin teknik megjithë drejtorin e kombëtares, 15 munuta mas lojës së pramshme, e trajnerin e kontrabânduar slloven Gliha në shkarkim, për veprime demotivuese në ekip e deklarata kontroverse. Por meqenëse në këtë vend askush nuk merr përgjegjësi për asgjâ, në FFK duhet me u bâ nji auditim urgjent nga Zyra Kombëtare e Auditimi dhe nji investigim ex oficio i Prokurorit të shtetit, pasi që shpenzimi i parasë publike (bâhet fjalë për miliona) âsht bâ pa karar, pa asnji investim kapital dhe infrastrukturor”, ka shkruar Matoshi.