Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka vendosur zyrtarisht që në zgjedhjet lokale të tetorit 2025 në Drenas të garojë me kandidatin Petrit Hajdari, duke lënë jashtë garës së partisë kryetarin aktual, Ramiz Lladrovcin.
Ky vendim ka nxitur një valë reagimesh në publik dhe rrjete sociale. Pak pas publikimit të lajmit, në platformat online kanë filluar të qarkullojnë sondazhe dhe pyetësorë të hapur, ku qytetarët kanë shprehur përkrahjen e tyre për Ramiz Lladrovcin. Në shumicën e reagimeve, ai shihet si figura që vazhdon të gëzojë mbështetje të gjerë, duke treguar qartë një ndasi mes vendimit të strukturave partiake dhe opinionit të pjesës së madhe të qytetarëve, transmeton Telenews.al.
Kjo situatë ka krijuar diskutime të forta në Drenas dhe më gjerë, me shumë zëra që kërkojnë respektim të vullnetit të bazës, ndërkohë që të tjerë e përkrahin hapin e PDK-së për të sjellë një qasje të re për komunën.
Petrit Hajdari, në një reagim pas zyrtarizimit të tij, ka bërë thirrje për bashkim dhe ka theksuar se do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve, ndërsa Ramiz Lladrovci deri tani nuk ka dhënë një qëndrim publik pas vendimit të partisë, por emri i tij vazhdon të jetë qendër e debatit politik në opinion./Telenews.al/